Katalunasit mbajnë premtimin e dhjetorit, më 25 qershor pritet të votohet kërkesa e tyre që Spanja ta njohë Kosovën
Grupi i deputetëve katalunas “Junts” i kanë propozuar Parlamentit të Spanjës një nismë përmes të cilës do t’i kërkojnë qeverisë së Spanjës njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nisma e tyre do të hidhet në votim më datën 25 qershor. Kështu ka konfirmuar për shefi i stafit të Carles Puidgemont, Josep Alay.
“Votimi do të ndodh të martën e ardhshme, pra 25 qershor”, ka thënë Alay për “Express”.
Partia katalunase “Junts per Catalunya” e cila është e përfaqësuar në Parlamentin e Spanjës më 5 qershor e kanë dërguar një propozim parlamentar në Parlamentin e Spanjës ku i kërkojnë Qeverisë së Spanjës që ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.
“Junts për Catalunya”, parti e cila kishte përkrahur krijimin e Qeverisë re të Spanjës në krye me Pedro Sanchez, në propozimin e tyre kanë shkruar se në përkrahje të përpjekjeve të bëra nga institucionet e Kosovës për të mbrojtur të drejtën për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga pozicioni refuzues dhe ta njohë menjëherë Republikën e Kosovës.
Premtimin se do të ndërmarrin hapa konkret në kërkim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, kjo parti e kishte bërë në dhjetorin e vitit 2023. Në një bisedë për “Express” në dhjetorin e vitit 2023 kur diskutohej krijimi i Qeverisë së re të Spanjës, nga partia e liderit katalunas Carles Pudigemont kishin paralajmëruar se do të kërkonin në Parlament që Qeveria e Spanjës ta njohë Kosovën si shtet.
“Si shef i stafit të tij, mund t’ju them se ne gjithmonë e kemi ndjekur me shumë interes çështjen e Kosovës dhe gjithmonë kemi kërkuar nga qeveria spanjolle që ta njohë plotësisht Kosovën dhe një komb të pavarur. Në këtë mandat të ri parlamentar, ne do të insistojmë edhe një herë që Spanja të njohë Kosovën, por më lejoni të them se partia politike e presidentit, Junts per Catalunya, nuk është pjesë e kabinetit spanjoll. Ne i japim mbështetje kësaj Qeverie vetëm nga jashtë dhe nuk kemi kapacitet të vendosim për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja”, kishte thënë shefi i stafit të Puidgemont, Josep Alay.