Katër aspektet e intervenimit ushtarak – ajror të NATO-s (24 mars-10 qershor 1999)

24 mars 2025 | 13:56

Fatmir Lekaj, politolog

I

Së pari, intervenimi kishte të bënte me aspektin e sigurisë (për shkak të pozitës gjeografike të Kosovës) që, njëkohësisht, e legjitimonte ndërhyrjen e NATO-s. Në kuptimin se konflikti në Kosovë përfaqësonte një kërcënim tejet serioz për stabilitetin dhe sigurinë në zonën thelbësore të NATO-s (jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë rajonin). Kjo do të thotë se kriza në Kosovë ishte një kërcënim për sigurinë edhe për shtetet anëtare të NATO-s, prandaj NATO kontribuoi jo vetëm për shmangien e një kërcënimi madhor të sigurisë, por edhe për t’u konsoliduar më mirë dhe për t’u zgjeruar në Ballkan. Ndërhyrja e NATO-s ishte, gjithashtu, në masë të madhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të bazuar në dispozitat e Kartës së OKB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Me fjalë të tjera, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e trajtoi krizën në Kosovë në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së OKB-së – kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të cilat mund ta autorizojnë përdorimin e forcës. Prandaj nuk kishte nevojë të domosdoshme për një rezolutë/autorizim eksplicit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

II

Së dyti, aspekti humanitar vjen si shtesë dhe pothuajse si faktor vendimtar, ngase ishte hera e parë që NATO sulmoi një shtet sovran me justifikimin në konceptin e ndërhyrjes humanitare. Si aspekti i sigurisë ashtu edhe ai humanitar duhet parë si vazhdimësi e Procesit të Helsinkit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Përkatësisht si vazhdimësi e konsolidimit më të fortë të politikave të sigurisë/paqes në Evropë përmes NATO-s dhe njëherësh si vazhdimësi e forcimit të qëndrimit se parimi i të drejtave të njeriut peshon më shumë se sa parimi i mosndërhyrjes në shtete, në rastet kur regjimet shtetërore shkelin rëndë të drejtat themelore të qytetarëve të vet dhe rrjedhimisht krijojnë kriza të rënda humanitare. Në lidhje me këtë aspekt humanitar të intervenimit të NATO-s, vlen të citojmë Václav Havel-in, si një nga aktivistët emblematik për mbrojtjen e parimit të drejtave të njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975), i cili për gazetën franceze “Le Monde” më 29 prill 1999, përveç të tjerash thotë: “Mendoj se në ndërhyrjen e NATO-s, ka një gjë që askush nuk mund ta kundërshtoj: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht humanitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë më lart se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën të ligjshme sulmin kundër Federatës Jugosllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara.” [1] Ndërsa, intelektuali dhe humanisti serb, Srđa Popović, gjatë fushatës ajrore të NATO-s, në një intervistë të botuar në ‘Feral tribune’, më 19.04.1999, përveç të tjerash thotë: “Perëndimi e kurseu Milošević-in për një kohë shumë të gjatë dhe u përpoq t’ia fshehë publikut fytyrën e tij të vërtetë…(…) Për Perëndimin, pas gjithçkasë që bëri në Kroaci, Bosnje e Kosovë, Milošević-i u bë thjesht i padurueshëm. Nuk mund të tolerohej më. Këtë që po ndodh tash, Perëndimi po e bën sepse nuk e bëri kur ishte e nevojshme. Dhe kjo ishte e nevojshme, për mendimin tim, kur u bë e qartë se çka po bëhej në Vukovar ose kur filloi rrethimi i Sarajevës ose kur ndodhi Srebrenica. Kishte një milion arsye…(…) Milošević-i ka natyrën e bishës, që vazhdimisht duhet të hyjë në konflikte dhe kriza të reja, duke i dhënë rëndësi vetes, duke u ofruar si bashkëbisedues i domosdoshëm dhe faktor i rëndësishëm politik. Perëndimi thjesht u ngop me këtë…(…) Unë jam pacifist dhe kundër çdo dhune. Por, megjithatë mendoj se ndërhyrja duhej të bëhej. Madje erdhi shumë vonë. E kam thënë publikisht se do të duhej të bëhej pas Vukovarit ose më së voni kur filloi agresioni ndaj Bosnje-Hercegovinës. U bë e qartë se nuk kishte rrugë tjetër për ta ndalë Milošević-in. Po të ndodhte kjo, shumë viktima do të ishin parandaluar, e ndërhyrja do t’i kishte ndihmuar edhe popullit serb. Domethënë, nuk do të kryheshin shumë krime, për të cilat serbët si komb kanë emër të keq. Popullit serb i duhej një disfatë ushtarake edhe për arsye psikologjike, për të kuptuar sa e gabuar ishte e gjithë kjo politikë. Dukej sikur i gjithë populli kishte marrë drejtimin e gabuar në një udhëkryq dhe po zhytej thellë e më thellë në katastrofë…(…) Besoj se u bë gabim i madh kur vendet perëndimore nuk e dënuan Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe Milošević-in për atë që ata vërtet janë fajtorë, e që është gjenocidi. Madje, gjenocid i përsëritur – pas gjenocidit të kryer në Bosnjë, tani po kryejnë gjenocid të ri në Kosovë. Këtu në Amerikë, kjo fjalë vështirë veçohet e përdoret sepse komuniteti hebre dëshiron, si të them, ta ruajë monopolin mbi atë kualifikim, duke thënë se nuk është gjenocid, meqë ndaj tyre është kry gjenocidi i vërtetë, çka është e pakuptimtë”.[2]

III

Së treti, aleanca e NATO-s kundër regjimit të Milošević-it, ka qenë aleancë kundër një regjimi (siç kanë qenë aleancat kundër regjimit të Hitlerit dhe kundër shembujve të tjerë të regjimeve tiranike në botë), dhe nuk ka qenë aleancë kundër popullit serb. Gjithashtu, edhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi kanë qenë përpjekje kundër regjimit të Millosheviqit (duke përfshirë regjimet e mëparshme shtypëse të shtetit serb ndaj shqiptarëve), dhe jo kundër popullit serb. Si shembull për këtë vlen ti referohemi një fragmenti nga libri i historianit Noel Malcolm, që dëshmon se që në fillesën e tyre, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi të frymëzuara nga kryeideologu Hasan Prishtina, kanë qenë të drejtuara kundër regjimit serb dhe jo kundër popullit serb, në lidhje me këtë, Malcolm përveç të tjerash shkruan: “ Shumica e udhëheqësve politikë të Kosovës të kohës së luftës tashmë ishin larguar nga territori i Kosovës, një grup i tyre, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, u mblodh në Shkodër në nëntorin e vitit 1918 dhe e formoi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, i njohur më mirë si Komiteti i Kosovës…(….) Ç’është e vërteta, Komiteti i Kosovës pjesën më të madhe të energjisë ia kushtoi përkrahjes, deri në një shkallë edhe udhëheqjes së Lëvizjes Kaçake brenda Kosovës. Në fillim të vitit 1919, ky komitet përgatiti një varg rregullash të përgjithshme të lëvizjes, duke filluar me këto dy pika; 1: asnjë kryengritës nuk bën t’i lëndojë serbët vendës, por vetëm ata të cilët rrokin armët kundër shqiptarëve; 2: asnjë kryengritës nuk bën të djegë ndonjë shtëpi apo të rrënojë ndonjë kishë” [3] Madje simboli i shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, Adem Demaçi, edhe pse i kaloi 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë, mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes ndëretnike, duke konsideruar se populli serb po manipulohet nga pushteti dhe se një popull i tërë nuk duhet të identifikohet me asnjë klasë politike në pushtet. Rrjedhimisht, për Demaçin nuk kishte popuj të këqij por vetëm regjime të këqija, gjithashtu nuk harronte ti vlerësonte intelektualët serbë, të cilët ishin mjaft të guximshëm për të gjetur mënyra për të artikuluar kundërshtimin e tyre ndaj autoriteteve serbe: Bogdan Bogdanović, Milan Nikolić, Zagorka Golubović, Srđa Popović, Lazar Stojanović etj., duke i konsideruar si bijtë e vërtetë të popullit serb. [4]

IV

Së katërti, edhe pse, intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ndodhi sikurse intervenimi për çlirimin e Kuvajtit në vitet 1990-’91 nga aleatët perëndimorë (të cilët përdorën trupat tokësore). Njëherësh, edhe pse gjatë periudhës 78 – ditëshe të sulmeve ajrore të NATO-s (që filluan me 24 mars 1999 me qëllim për të ndal gjenocidin e regjimit të Milošević-it në Kosovë), Milošević-i, u hakmor në popullatën e pambrojtur civile shqiptare të Kosovës, duke kryer krime me përmasa gjenocidiale. Në fakt, Miloševići u ndal vetëm pasiqë NATO e kërcënoi me përgatitjen e sulmeve me trupat tokësore, madje edhe vetë gjenerali Wesley K. Clark e vërteton këtë në njëfarë mënyre se sikur të kishin filluar që në fillim përgatitjet për intervenim tokësor do të shpëtoheshin shumë njerëz të pafajshëm. Në librin e tij Waging Modern War (2001), përveç të tjerash, shkruan: “Planifikimi dhe përgatitjet për ndërhyrje tokësore ishin në proces aty nga fundi i fushatës ajrore dhe unë jam i bindur se kjo, në veçanti, e shtyu Miloševići-n të dorëzohet”.[5] Gjithashtu, edhe pse ndihma për Kosovën (si rezultat i intervenimit ajror të NATO-s) nuk është shembull i izoluar, ngase historia na mëson se nuk ka popull që është çliruar krejtësisht vet ose shtet që është formuar krejtësisht vet, pa ndihmën më shumë dhe më pak e të tjerëve/të huajve. Megjithëkëtë, shqiptarët e Kosovës janë dhe do të mbesin përgjithmonë mirënjohës për ndihmën e të huajve për arritjen dhe forcimin e paqes në Kosovë, sepse mirënjohja është edhe pjesë e rëndësishme e traditës shqiptare. Për më tepër, siç thotë filozofi i shquar gjerman Emanuell Kant, mirënjohja është “detyrë e shenjtë”.

Konkludim

Parakusht kryesorë dhe i domosdoshëm për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës, ishte UÇK-ja (duke e përfshirë edhe kontributin e Lëvizjes Paqësore të Kosovës), që arritën në kuptim komplementar që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojnë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbyen si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s), të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës.

FALEMINDERIT NATO!

REF:

[1] Intervistë e Vaclav Havel për gazetën franqeze “Le Monde” ( 29. 04. 1999): Moi aussi je me sens albanais: https://www.lemonde.fr/…/moi-aussi-je-me-sens-albanais…, shif edhe: Libquotes: Václav Havel Quote; https://libquotes.com/václav-havel/quote/lbz0b6j

[2] Shkëlzen Gashi (2024) Serbia Tjetër 3, Srda Popovic, Botues: Admovere : Fragmente nga intervista “Srpski spas zove se Haag” (Shpëtimi sërb quhet Hagë), realizuar nga Darko Vukorepa, botuar në ‘Feral tribune’, 19.04.1999, Split: https://admovere.org/…/uploads/2024/03/Serbia-Tjeter-3.pdf

[3] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 284-285

[4] Shkëlzen Gashi (2010): Adem Demaçi, biografi e paautorizuar. Shtëpia Botuese Rrokullia., f. 99 – 101

[5] Wesley Clark: Waging Modern War. Public Affairs Ltd., 2001, f. 429.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përgatiti: Nijazi Halili Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin…