KATËR DITË PËR PAFUNDËSINË

22 maj 2018 | 10:34

(Dëshmorëve, martirëve të masakrës së Dubravës)

Ishim bashkë dhe po bisedonim
Për dashurinë, jetën, për kaltërsinë
Kur krahët e vdekjes sipër na fluturonin
Si shkëndija drite për pafundësinë

Ti po më thoshe që, nesër, me të gdhirë
Do ta sodisje një lindje, me buzëqeshje
E mbaj mend, të kuptova atëbotë aq mirë
Ndonëse s’ta thashë, përveç me heshtje…

Sakaq një bisht zjarri, si në përrallë
Pas tij nuk vonoi dhe një i dytë
Po prisja si ti, edhe unë në radhë
Të më zbriste qielli vetë tek sytë

Dikush mund ta quajë të tërën: marrëzi!
Që prisja dhe në sytë e mi një qiell
Por, ti s’mendon kështu, e di
Teksa m’i ngroh ditët si diell

Ishim bashkë atëherë dhe bisedonim
Për dashurinë, jetën, për kaltërsinë
Sot kur qielli të ka vënë medaljonin
Mua ma farfurit si puhizë-Lirinë…

Nuk mundëm bashkë të fluturonim
Për në krahët e tu ndjek unë pafundësinë…

Besim Zymberi
Ferizaj, 20 maj 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Elvi Sidheri Kur nis ta lexosh romanin “Psycho” të…