Katër ish-deputetë dënohen me nga 1 vit burgim me kusht
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Mytaher Haskukës, Enver Hotit, Shqipe Pantinës dhe Teuta Haxhiut, duke i dënuar secilin veç e veç me nga 1 vit burgim me kusht, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, Enver Hoti, dënohet me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.
Po ashtu, Haskuka, u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.
Tutje, Pantina u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.
Njësoj u dënua edhe Haxhiu, me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.
Obligohen që secili veç e veç, të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën për 50 euro, ndërsa nga 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.