Katër klube pas dy trofeve të Superkupës
Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës fillon me dy ndeshjet e Superkupës, Prishtina – Bashkimi te femrat dhe Sigal Prishtina – Rahoveci te meshkujt. Ndeshjet zhvillohen në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, që është organizatore së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Prishtina dhe Rahoveci ishin përballur edicionin e kaluar edhe në finale të “play-off”-it dhe Kupës, ku përballjet ishin shumë interesante. Tifozët pritet ta mbushin palestrën për të parë një spektakël të basketbollit, që është edhe nisja e edicionit të ri, ku pritet të jetë shumë interesant, sidomos me rikthimin e Pejës.
Kapiteni i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, ka thënë se Superkupa është mënyra më e mirë për ta nisur edicionin e ri. “Deri më tani jemi përgatitur për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, kurse tani jemi fokusuar për sfidën e Superkupës. Besoj se do të jetë një spektakël i basketbollit, pasi palestra do të jetë e mbushur me tifozë dhe më i miri të fitoj në fund. Sigurisht ne, pas titullit dhe Kupës, duam edhe trofeun e Superkupës, por me rëndësi është që të jetë një ndeshje e bukur për tifozët dhe të nisë edicioni i ri i basketbollit në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Berisha për faqen e FBK-së.
Ndërsa kapiteni i Rahovecit, Rron Grapci, pret një ndeshje të bukur për tifozët. “Ne jemi përgatitur për ta dhënë maksimumin në fushë. Shpresoj se do të jetë një spektakël për tifozët. Përparësia për ne është se do ta kemi ndihmën e tifozëve, derisa mendoj se Prishtina nuk është e fortë si e vitin e kaluar. Sidoqoftë, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për të dy palët dhe besoj se do të zhvillohet një ndeshje dramatike dhe skuadra që e meriton të fitojë në fund”, ka thënë Grapci për faqen e FBK-së.
Kjo ndeshje fillon nga ora 20:30. Finalja e parë që do të zhvillohet do të jetë ajo në konkurrencën e femrave në mes të Prishtinës dhe Bashkimit, e cila fillon nga ora 17:30. Njëra nga basketbollistet më të dalluara të Prishtinës është Irma Konjusha. Ajo pret një lojë të mirë përballë vashave prizrenase. “Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Do të jetë një ndeshje e bukur edhe për tifozët, derisa lojtaret do ta japin maksimumin në fushë. Ne jemi duke u përgatitur dhe sigurisht që e duam trofeun e Superkupës”, ka thënë Konjusha.
Edhe basketbollistja e Bashkimit, Arbnore Përquku, beson se do të jetë një ndeshje e bukur për tifozët. “Ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë. Ne jemi përforcuar me disa lojtare dhe do të shihet se sa do të komponohemi gjatë ndeshjes, por edhe Prishtina është përforcuar. Ndeshja e parë e edicionit nuk është asnjëherë e lehtë. Besoj se do të zhvillohet një takim i bukur edhe për tifozët, duke parë cilësinë e dy skuadrave, derisa më e mira në fund do ta fitojë Superkupën”, ka deklaruar Përquku.
/Epoka e re/