
Katër klube synojnë Kupën në Hendboll
Të shtunën do të zhvillohet “Final 4” i Kupës së Kosovës në Hendboll në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet nga ora 16:00 në mes të Vushtrrisë e Besa Famgasit. Hendbollisti Egzon Ademi, që është prej lojtarëve më të rëndësishëm në Klubin e Vushtrrisë, ka thënë se janë të vetëdijshëm për forcën e Besës, por se janë të vendosur për të dhënë më të mirën në kërkim të suksesit.
“Klubi ynë rikthehet pas shumë vjetësh në mesin e katër skuadrave më të mira në garën për Kupë të Kosovës. Kjo është një e arritur e madhe për ne dhe për gjithë qytetin. Është po ashtu një mundësi e artë për të treguar punën dhe përkushtimin që kishim gjatë gjithë këtij edicioni garues. Jemi të përgatitur që në këtë ndeshje të japim maksimumin në fushën e lojës, edhe pse jemi të vetëdijshëm që kundërshtari ynë është prej ekipeve më të mira në Kosovë dhe atë për kohë shumë të gjatë. Nuk do të dorëzohemi dhe do të tregojmë vlerat tona, ndonëse e dimë që na pret një ndeshje e fortë”, ka thënë Ademi.
Në anën tjetër, hendbollisti i Besa Famgas, Olsi Mulaj, ka bërë me dije se klubi pejan synim e ka triumfin në garën e Kupës. “Kemi punuar fort gjatë gjithë edicionit dhe kemi qenë të përkushtuar për të arritur objektivat tona. Synimi ynë në turneun final të Kupës është i qartë: të japim maksimumin në çdo ndeshje, të tregojmë lojën tonë më të mirë dhe të luftojmë për të fituar Kupën e vlefshme të Kosovës. E dimë që gara do të jetë e fortë dhe se çdo skuadër që ka arritur në fazën gjysmëfinale e meriton respektin tonë. Por në të njëjtën kohë ne kemi shumë besim në grupin tonë dhe në punën që kemi bërë. Ftojmë të gjithë adhuruesit e hendbollit të jenë pranë nesh në këtë turne dhe të shijojnë ndeshje të nivelit të lartë”, ka thënë Mulaj.
Ndeshja tjetër pritet të jetë shumë interesante. Do të përballen Kastrioti dhe Rahoveci nga ora 20:00. Aloja Lulzim Shabani është prej “armëve” kryesore të Kastriotit. Ai është optimist se Kupa do të mbetet në Ferizaj.
“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Ka kohë që kemi menduar për këtë ‘Final 4’ dhe jemi përgatitur maksimalisht. Skuadra është në gjendje jashtëzakonisht të mirë fizike, e po ashtu në anën psikologjike jemi shumë të përgatitur dhe të vendosur që edhe këtë vit ta stolisim qytetin me trofeun e çmuar të Kupës së Kosovës. Do të jetë më e veçantë pasi turneu final organizohet në qytetin tonë, në qytetin e hendbollit. Premtojmë spektakël, duele të forta e shumë lojë të bukur për të gjithë sportdashësit që do të jenë në ‘Bill Clinton’. I ftoj gjithë qytetarët ferizajas dhe tifozët tanë ‘Ujqit’ që të na mbështesin në mënyrë masovike dhe si gjithmonë të tregojnë kulturë e mbështetje korrekte për ekipin tonë”, ka deklaruar Shabani.
Pritjet janë të mëdha edhe për hendbollistin e Rahovecit, Mali Luzha. “Jemi të motivuar maksimalisht për të dhënë më të mirën në turneun e Kupës së Kosovës. Kjo garë është e rëndësishme për ne dhe e shohim si një mundësi të madhe për të treguar kualitetin dhe forcën tonë si skuadër. Forma jonë e deritashme, ku nuk kemi pësuar asnjë humbje gjatë gjithë edicionit në Superligë, është dëshmi e përkushtimit dhe punës së palodhshme të ekipit, stafit dhe gjithë klubit. Kjo na jep dhe motiv shtesë për të synuar trofeun e Kupës”, ka thënë Luzha.
Krahas “Final 4” te meshkujt, në fundjavë zhvillohet edhe “Final 4” në konkurrencën e femrave.