Katër klube të Kosovës në garat ndërkombëtare
Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës për të tretin vit radhazi është mbajtur seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, fillimisht i ka falënderuar përfaqësuesit e klubeve për organizim shumë të mirë në stinorin vjeshtor dhe ka theksuar se tashmë të gjitha klubet janë të vetëdijshme për rëndësinë dhe peshën që ka licencimi për gara evropiane.
“Deri më tash kemi qenë mirë sa i përket licencimit të klubeve, por duhet të vazhdojmë të punojmë me përpikëri në të gjitha segmentet. Pas rezultateve të mira që kemi pasur me ekipin përfaqësues, kemi bërë kërkesë që kampionati ynë të vlerësohet dhe ngrihet në nivel më të lartë, pasi konsiderojmë se nuk jemi në nivel me disa shtete që i kanë ligat shumë më të dobëta. Pra, qëllimi ynë është që kampionati ynë të vlerësohet më lart, në mënyrë që të rritet numri i ekipeve që do të jenë pjesë e garave evropiane. Por, për ta arritur këtë duhet të kemi rregullsi dhe cilësi të garave, pastaj infrastrukturë më të mirë dhe organizim të mirëfilltë të ndeshjeve”, ka thënë Ademi, i cili ka shtuar se barra kryesore për organizim dhe cilësi u bie klubeve.
Numri një i FFK-së do ta bëjë punën e vet dhe se nuk do të tolerohet asnjë gabim. “E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris, se nuk do ta fal asnjë gabim. Ato të paqëllimtat do t’i sanksionojmë në mënyrë sportive me organet tona, kurse gabimet e qëllimta do t’ia delegojmë Këshillit Kombëtar Kundër Dukurive Negative në Sport. Në këtë mënyrë do të ecin përpara ekipet më cilësore dhe kësisoj do t’ua ruajmë investimet njerëzve që po investojnë në futboll”, ka shtuar Ademi.
Menaxheri i licencimit, Bajram Shala, zëvendëssekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti dhe eksperti financiar, Indrit Canolli, i kanë njoftuar klubet për procesin e licencimit si dhe për risitë në këtë segment. Menaxheri i licencimit, Bajram Shala, ka njoftuar klubet se edhe sivjet skuadra kampione do të marrë pjesë në raundin parakualifikues që zhvillohet me katër ekipe. Ai ka bërë me dije se FFK-ja sivjet ka aplikuar që ta marrë organizimin e këtij raundi në mënyrë që t’i krijojmë kushte sa më të mira klubit kampion që ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë dhe ta ketë përkrahjen e tifozëve.
/Epoka e re/