Katër mësimdhënës në shkollën “Faik Konica” dalin pozitiv me Covid-19
Katër mësimdhënës në shkollën fillore “Faik Konica” kanë dalë pozitiv me Covid-19. Lajmin e ka bërë me dije të dielën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj ka thënë se me gjithë përgatitjet në bazë të rekomandimeve, situata ka ndryshuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.
Tashme, sipas tij, mësimi në shkollën “Faik Konica”, nga skenari ‘A’, do të kalojë në skenarin ‘C’, mësimin online për dy javë.
“Nga hulumtimi dhe mbikëqyrja e situatës epidemiologjike, IKShPK-ja ka bërë testimin e të gjithë arsimtarëve, katër prej të cilëve rezultuan pozitiv me Covid-19. Prandaj, IKShPK-ja ka rekomanduar që mësimi në shkollën ‘Faik Konica’, nga skenari ‘A’, të kalojë në skenarin ‘C’, mësimin online, për dy javë”, ka shkruar Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka pohuar se IKSHPK-ja dhe Drejtoria komunale e Arsimit në Prishtinë do të monitorojë gjendjen në vazhdimësi, ndërsa Task Forca komunale bashkë me Institutin do të bëjnë vlerësimin e gatishmërisë së shkollës për të rifilluar mësimin në skenarin “A”.
Ministri Zemaj ka theksuar se nga dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor, ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, respektim të masave anti covid por edhe vigjilencë në shkolla.
“Të nderuar nxënës, mësimdhënës, prindër, kërkoj të respektoni masat anti covid, të jemi bashkëpunues dhe të gjithë së bashku të punojmë për të mirën e fëmijëve tanë, të mos përsëriten rastet e tilla”, ka shkruar Zemaj.
(F.D / Epoka e re)