Katër muaj pasi iu dha statusi i investitorit strategjik, Qeveria anulon vendimin për kompaninë ‘Moxico Luma Kosova Mining’
Qeveria e Kosovës njofton ka shfuqizuar një vendim të datës 13 dhjetor 2022, me të cilin i kishte rekomanduar Kuvendit që kompaninë “Moxico Luma Kosova Mining” ta shpallë investitorë strategjik.
Mirëpo, Qeveria në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që ta anulojnë këtë status dhe pse nuk janë dhënë arsyet e shfuqizimit të këtij investimi.
“Qeveria e Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka shfuqizuar Vendimin 04/112 të datës 13 dhjetor 2022 me të cilin ishte konfirmuar vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit të Kosovës, Vendimin 13/50, të datës 21 dhjetor 2020, për dhënien e Statusit Investitor Strategjik për subjektin investues Moxico Luma Kosova Mining LLC”, thuhet në arsyetimin e Zyrës së Kryeministrit.
Propozimi për shpalljen e kësaj kompanie “investitorë strategjik” ishte realizuar për herë të parë në vitin 2020 nga Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti.
Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë.
Në vitin 2020, ministri i atëhershëm i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi kishte dhënë detaje të investimeve nga kjo kompani, për të theksuar se ky projekt në vete do të ngërthejë nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës.
“Përfitimin e statusit të investitorit strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, Moxico Luma Kosova Mining, si investitor strategjik do të zbatoj projektin që në vete do të ngërthejë nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikojë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar. Faktor kyç i projektit është që shumica e lëndëve së përpunuara do të eksportohen, gjë që do të ngrejë edhe ekonominë e vendit dhe eksportin”, kishte thënë Krasniqi.
Kompania “Moxico Luma Kosova Mining” ka nisur aktivitetin e saj në Kosovë më 2019 dhe është e fokusuar në hulumtimin e minierave.