Katër persona dënohen me burgim të përjetshëm për vdekjen e 71 emigrantëve
Një trafikues afgan me qenie njerëzore dhe tre shoqërues të tij bullgarë janë dënuar me burgim të përjetshëm, për shkak të vdekjes së 71 emigrantëve, të cilët ishin ngufatur brenda një kamioni, pranë një fshati të Austrisë, në vitin 2015.
Gjykata në Hungari e ka shpallur vendimin të enjten, pasi udhëheqësi i unazës afgane, Samsoor Lahoo, 32 vjeç, dhe shoqëruesit e tij janë gjetur fajtorë për trafikim të organizuar të njerëzve dhe vrasje, në gusht të vitit 2015.
Gjykata ka zbuluar se ata kanë refuzuar të hapin dyert e kamionit, për të lejuar qarkullimin e ajrit, pavarësisht lutjeve të njerëzve që ishin brenda.
Në vendimin final, gjykatësi i rastit, Erik Mezolaki, ka thënë se tre nga trafikuesit nuk do ta kenë mundësinë e lirimit me kusht. Ai ka thënë se i katërti do të kalojë së paku 30 vjet në burg.
Nga tre bashkëpunëtorët bullgarë njëri është identifikuar si zëvendës i Lahoo, i dyti si shofer i kamionit dhe i treti si shofer i një makine që shoqëronte kamionin.
Viktimat kanë qenë refugjatë nga Afganistani, Irani, Iraku dhe Siria.
Në mesin e tyre kanë qenë: tetë gra, katër fëmijë dhe 59 burra.