Katër raste me Covid-19, shërohen edhe 22 të tjerë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për katër raste të reja me Covid-19 dhe për 22 të shëruar nga kjo pandemi.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: Komuna e Mitrovicës dy raste (sipas vendbanimit: dy raste Rekë) dhe me nga një rast vendbanimet: Rahovec dhe Zhur-Prizren.
“Sot janë shëruar 22 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 403 raste”, është bërë me dije në njoftimin e IKSHPK-së.
Nga data 8 shkurt deri më 4 maj 2020 janë testuar gjithsej 8.541 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 855 raste, me gjithsej 26 raste të vdekjes (1 rast i vdekjes më 03 maj në Zubin Potok).
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, theksohet në njoftimin e IKSHPK-së.
(Mal Qorraj / Epoka e re)