Katër raste të dhunës në familje për 24 orë, viktima gratë
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit.
Dy raste janë raportuar në Prishtinë, ku dy gra janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre.
Njëri është dërguar në mbajtje, e tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
“Prishtinë / 31.08.2024 – 22:17. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar. Viktima me dëshirën e saj prapë është kthyer në shtëpi të jetoj me bashkëshortin i cili pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.”
“Prishtinë / 31.08.2024 – 23:56. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarveshje ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Ndërsa rasti i tretë ka ndodhur në Pejë, ku burri e ka rrahur gruan.
Ai është liruar në procedurë të rregullt.
“Pejë / 31.08.2024 – 13:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës-bashkëshortes së tij kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.”
Ndërsa në Veri, një burrë e ka sulmuar vajzën e tij.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Mitrovicë Veri / 31.08.2024 – 05:00. Është arrestuar i dyshuar kosovar nën dyshimin se i njëjti (për motive të panjohura) ka sulmuar viktimën- vajzën e tij kosovare, të cilës i ka shkaktuar lëndime. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe pastaj i është lëshuar edhe urdhri mbrojtës me kërkesën e saj. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”