Katër raste të etheve të Nilit në Kosovë
Në Kosovë gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej katër raste laboratorike me ethet e Nilit Perëndimor.
Kështu ka bërë me dije Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
“Në Kosovë gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 4 raste laboratorike të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor: Rasti i parë i importuar është konfirmuar me datë 07.08.2024 tek një banor i komunës së Fushë Kosovës. Rasti i dytë është autokton, është konfirmuar me datë 09.08.2024, tek një banor i Bardhit të Madh të Komunës së Fushë Kosovës. Rasti i tretë po ashtu është autokton, është konfirmuar me datë 30.08.2024, tek një banor i Prizrenit. Rasti i katërt është rast i importuar, është konfirmuar me datë 05.09.2024, tek një banore e Fsh. Rufc i Vjetër të komunës së Lipjanit”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Sipas IKShPK-së, të gjitha raste janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore janë liruar në shtëpi.
Virusi i Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) transmetohet nga pickimi i mushkonjave te zogjtë. Njerëzit dhe gjitarët gjithashtu mund të infektohen, megjithëse rreth 80 për qind e infeksioneve humane nuk kanë simptoma. Shumica e rasteve humane paraqiten midis korrikut dhe shtatorit kur mushkonjat janë aktive.
Rreth 20 për qind e infeksioneve WNV tek njerëzit mund të shkaktojnë ethet e Nilit Perëndimor (West Nile Fever – WNF), e karakterizuar me: dhimbje koke, ethe, mialgjia, të vjella, skuqje, lodhje, dhimbje e syve. Më pak se një për qind mund të shkaktojë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor që prek sistemin nervor.