Katër raste të reja me Covid-19, shërohen edhe 43 të tjerë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar edhe për katër raste të reja me Covid-19 dhe për 43 të tjerë të shëruar.
“Sot më 6 maj 2020 janë testuar gjithsej 324 mostra të marra nga Klinika Infektive, rastet nga terreni dhe në Shtëpinë e Përkujdesjes për të moshuar në Prishtinë. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar katër raste”, ka njoftuar IKSHPK-ja.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Prizren, 1 rast Zhur), një 1 rast me vendbanim në Rahovec dhe një 1 rast Leposaviq.
Po ashtu sot janë shëruar 43 pacientë. “Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 533 raste”, thuhet në këtë njoftim.
Nga data 8 shkurt deri më 6 maj 2020 janë testuar gjithsej 9.085 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2, prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 860 raste, me gjithsej 26 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
(M. Q / Epoka e re)