Katër shtetet më të goditura sot nga koronavirusi

17 mars 2020 | 10:09

Gjatë ditës së hënë një numër rekord prej 14 mijë infektimesh dhe 862 viktima u shënuan nëpër botë nga pandemia Covid 19, pavarësisht prej përpjekjeve të qeverive për t’i ndaluar kontaktet sociale përmes bllokimit të aktivitetit ekonomik e shoqëror dhe ndalimit të daljeve në rrugë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi një numër rekord infektimesh dhe viktimash nga pandemia Covid 19 gjatë ditës së hënë në raportin e saj ditor mbi situatën, ndërsa njoftoi se sot numri i infektimeve dhe viktimave jashtë Kinës kapërceu për herë të parë numrin e infektimeve dhe viktimave të Kinës dhe, për rrjedhojë, Kina nuk do të raportohet më veçmas.

Gjithsej 167 511 persona në 151 shtete dhe territore janë të prekur nga sëmundja, e cila ka shkaktuar deri më sot 6 606 të vdekur. Gjatë ditës së hënë pati 13 903 persona të konfirmuar si të infektuar për herë të parë dhe 862 persona të vdekur nga virusi vetëm gjatë ditës së djeshme.

Problemet më të mëdha gjatë ditës së hënë u raportuan nga Italia, Irani, Spanja dhe Gjermania, ndërsa në Kinë numri i infektimeve të reja vijon të jetë i ulët prej ditësh ndërsa në Korenë e Jugut situata duket drejt përmirësimit.

Në Itali, vendi më i prekur në kontinentin evropian, gjatë të hënës pati një rekord të ri negativ sa iu përket infektimeve dhe të vdekurve. Brenda 24 orëve, 3 590 persona dolën pozitivë në testime, ndërsa 368 persona humbën jetën.

Spanja shënoi 2 000 raste të reja dhe 152 të vdekur, ndërsa Gjermania u bë vendi tjetër ku numri i infektimeve të reja të konfirmuara brenda një dite kaloi 1 000. Në Gjermani ka aktualisht 4 838 persona të prekur dhe 12 të vdekur. Sëmundja po përhapet me ritëm të lartë edhe në Zvicër dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në Iran, autoriteti fetar i vendit njoftoi se qeveria do të nisë testim në masë të popullsisë, hapi tjetër në menaxhimin e pandemive pasi gjurmimi i rasteve të dyshuara nuk arrin të vendosë nën kontroll situatën, por nuk tregoi se si ky vend ka në plan të ndërmarrë një testim të tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventusi është në betejë me Real Madridin për t’i siguruar…