Katër skuadra në garë për trofeun e Ligës Unike
Katër skuadrat më të mira të Ligës Unike në konkurrencën e femrave do të përballen në garë për trofeun e kësaj gare. Ky është edicioni i parë dhe historik, andaj dëshira është e madhe për të fituar këtë trofe.
Final 4 do të organizohet në Prishtinë, më 23 dhe 24 mars. Gjysmëfinalja e parë është mes Penzës dhe Bashkimit, një derbi në Ligën Unike. Pejanet përfunduan garat me tetë fitore e dy humbje, ndërsa prizrenaset me pesë fitore e pesë humbje. Vashat prizrenase fituan Kupën e Kosovës dhe sigurisht e duan edhe trofeun e Ligës Unike, ashtu siç e duan edhe kampionet e Kosovës që kanë fituar Superkupën Mbarëkombëtare të zhvilluar vitin e kaluar në Vlorë.
Gjysmëfinalja tjetër është ndërmjet Prishtinës dhe Flamurtarit, që përfunduan garat me nga shtatë fitore e tri humbje, si dhe me nga një fitore ndaj njëra-tjetrës. Prishtinaset si organizatore synojnë ta fitojnë trofeun e çmuar, ndërsa vashat nga Vlora udhëtojnë të bindura për të triumfuar. Spektakël i basketbollit pritet në Prishtinë për dy ditë, ndërsa hyrja do të jetë falas për adhuruesit e basketbollit.
Shpërblimet për fituesin e Ligës Unike te femrat
Më 23 dhe 24 mars në Prishtinë do të organizohet Final 4 i Ligës Unike në konkurrencën e femrave. Në këtë Final 4 marrin pjesë katër skuadrat më të mira të kësaj lige: Prishtina, Bashkimi, Penza dhe Flamurtari. Në konkurrencën e femrave Liga Unike do të ofrojë shpërblime për dy gjysmëfinalistët nga 1 500, për finalistët nga 3 000 dhe për klubin i cili shpallet Kampion i Ligës Unike do të ndahen 6 000 (15 000 gjithsej). Ky është edicioni i parë dhe historik i Ligës Unike te femrat, ku do të mësohet kampioni i parë i kësaj gare.
/Epoka e re/