Katër tablo për shqiptarët nga francezi Charles Bargue
24 shtator 2023| 08:41
Litografi i njohur francez realizoi disa tablo për shqiptarët që ndodheshin në Egjipt, ku për mëse 147 vjet qeverisi familja shqiptare Aliu dhe pasardhësit e tij.
Nga: Dorian Koçi
Charles Bargue (1826/1827 – 6 prill, 1883) është një piktor dhe litograf francez i njohur për hartimin e një kursi të rëndësishëm vizatimi. Ai e hartoi këtë kurs vizatimi së bashku me piktorin tjetër të njohur Leon Gerome. Ky kurs u botua nga viti 1866-1871, i përbërë nga 197 litografi të printuara si fletë të veçanta.
Litografitë e tij u përdorën si modele të realizmit klasik. Duke qenë mik i ngushtë i Leon Gereome, i njohur si piktor që realizoi disa tablo nga jeta e shqiptarëve në Egjipt gjatë mbretërimit të Khedivit, edhe Bargue realizoi disa tablo të. Egjipti u qeveris për mbi 147 vjet nga familja shqiptare që e kishte origjinën nga Mehmet Aliu dhe pasardhësit e tij.
Mehmet Aliu lindi në vitin 1769 në një familje shqiptare nga Kavalla (Thesali). Ishte një ushtar i thjeshtë, kur më 1801 u dërgua në Egjipt për të marrë pjesë në shtypjen e revoltave të mamlukëve, zotër të vendit që prej shek. XIII. Më 1804, në krye të jeniçerëve shqiptarë ai i dëboi mamelukët nga Kajro e u shpall guvernator. Brenda viteve 1820-1840 ushtria dhe flota e Mehmed Aliut, nën komandën e djalit të tij po aq të shquar, Ibrahim Pashës, u shfaqën sa në Kretë e Peloponez, aq edhe në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar vetë kryeqendrën e Perandorisë.
Në 1831-2 Ibrahim Pasha pushtoi tërë Palestinën, Libanin si dhe provincën e Damaskut. Sulltani dërgoi për të shtypur shqiptarin rebel, vezirin e madh, Mehmet Reshit Pashën, i cili vetëm ndonjë vit më parë kishte masakruar në Manastir ajkën e parisë kryengritëse shqiptare (1830). Por Ibrahim Pasha i shpartalloi forcat osmane dhe e vazhdoi kundërmësymjen drejt zëmrës së Anadollit, ku mori Konjën, Qytahjan dhe Bursën. Shqiptari energjik rrezikonte të sulmonte e të merrte vetë Stambollin, e në këto kushte Sulltani bëri të pabërën, uli kokën dhe thirri për ndihmë armikun më të egër të tij, car Nikollën e Rusisë.
Paqja e Hunkiar Skelesit e vitit 1833 mes Mahmudit II e car Nikollës, e kthente praktikisht Sulltanin në një vasal të sovranit rus. Futja me forcë e arrogancë e Egjiptit të Mehmet Aliut në kontekstin e politikës mesdhetare dhe poshtërimi prej tij i Perandorisë Osmane, rrezikonte të rikonfiguronte gjeopolitikën e të ndryshonte raportet e forcave, të vendosura pas luftërave të Napoleonit.
Një gjë e tillë i shqetësoi Fuqitë e Mëdha, të cilat u vunë para dilemës, të pajtoheshin me shpërbërjen e Perandorisë Osmane e të njihnin si fuqi partnere perandorinë e re të Mehmet Aliut, apo të ushtronin presion mbi pashain shqiptar që të hiqte dorë nga ambiciet e skajshme e të njihte sovranitetin e Sulltanit, kuptohet, kundrejt koncesioneve të arsyeshme. Franca, ku figura e Mehmet Aliut ishte bërë popullore dhe ku ai thirrej me simpati “Bonaparti mysliman”, ishte e prirur ta mbështeste atë. Në konceptin e kryeministrit të Francës, Adolphe Thiers, një perandori e madhe egjiptiane do të thoshte shtrirje, nëpërmjet tij, e influencës franceze në Lindjen e Mesme e në Mesdheun Lindor, duke ngushtuar sferën e ndikimit anglez, që në të kundërtën anonte nga Perandoria Osmane.
Qëndrimi i ndryshëm ndaj governatorit shqiptar të Egjiptit i ndau keqas qeveritë e opinionet publike të Francës, Anglisë, Austro-Hungarisë e Prusisë. Në vitin 1840, gjithandej në Evropë ndjehej atmosfera e një konflikti të afërt, që u arrit të evitohej në minutën e fundit. Dorëheqja e kryeministrit francez, Thiers i hapi rrugë kompromisit për çështjen e së ardhmes së Egjiptit. Në marrëveshjen e arritur në 15 korrik 1840 mes Fuqive të Mëdha, Egjipti kthehej në gjendjen e një province të Perandorisë Osmane, paçka se me status të veçantë. Në fakt, Mehmet Aliut iu njoh e drejta e pushtetit të trashëguar me titullin Kediv, që e veçonte atë nga governatorët e provincave të tjera. Fillon kështu historia e dinastisë sunduese shqiptare të Egjiptit, që u mbyll me shfronëzimin e mbretit Faruk, më 1956.
Dy janë tablotë shumë interesante të tij, pikërisht nga koha e qeverisjes së Egjiptit nga khedivët shqiptarë, të titulluara “roja e patrullës shqiptare”, 1860, dhe 1870, ku shquajnë një shqiptar me qylaf në kokë, ndoshta nga Shqipëria e jugut dhe një tjetër i veshur me fustanellë. Tabloja tjetër “Studim pëe arnautët”, pavarësisht që atribuohet një shqiptari, në fakt dukët më tepër si një vendas i veshur me një fes të kuq që e mbanin të krishterët shqiptarë. Këtë fes e gjejmë dhe tek piktura Gjergji Kokali të Edward Leari.
Ushtria dhe policia e Khedivëve përbëheshin kryesisht prej mercenarëve shqiptarë që vinin nga vendi i tyre për të shërbyer në Egjipt. /Shqiptarja/