Katër të akuzuarit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend: E mbrojtëm territorin e Kosovës

14 prill 2021 | 12:24

Para Gjykatës Themelore në Prishtinë të mërkurën janë paraqitur katër të akuzuarit për futjen e bombolave të gazit në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. Të akuzuarit ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ish-deputetet Donika Kada-Bujupi dhe Besa Baftiu janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprën penale për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2016-të.

Pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, dhe që të gjithë kanë kërkuar që sa më parë të kryhet ky proces. E seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 maj 2021 nga ora 13:15.

Të akuzuarat Albulena Haxhiu, Donika Kada-Bujupi dhe Besa Baftiu janë deklaruar se do mbrohen vetë, ndërsa i akuzuari Pal Lekaj do të mbrohet në këtë rast nga avokati, Arianit Koci.

Ish deputetja e LV-së, tani ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka deklaruar vetën të pafajshme për veprime të cilat ka thënë se nuk kanë pasur qëllim kriminale.

“E kuptoj aktakuzën, nuk e kundërshtoj si të tillë për faktin se në vitet 2015-16 Kosova është përballuar me dy projekte të rrezikshme ka qenë obligim i yni si deputet i Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrim veprime protestuese në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh. Qëllimi jonë nuk ka qenë qëllim kriminal është shumë e rëndësishme edhe për prokurorin dhe për ju gjyqtare sepse në një proces gjyqësor është shumë i rëndësishëm edhe qëllimi. Por, thjesht qëllimi jonë ka qenë ta mbrojmë  Kosovën nga cenimi i territorit por edhe nga bosnjëzimi i saj. Sikur ne mos t’i kishim marr ato veprime sot do t’i vuanim dënimet e atyre projekteve siç është bosnjëzimi i Kosovës. Prandaj, ne vetëm mund të themi se jemi krenar për veprimet që i kemi bërë dhe nuk ndjehemi fajtor. Sa herë që do përballemi me situata të tilla uroj që mos të përballemi  më janë aty për ta mbrojtur Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj”, ka thënë Haxhiu.

I pafajshëm është deklaruar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj. Edhe ai ka thënë se veprimet që i kanë bërë atë kohë kanë qenë për ta mbrojtur territorin e Kosovës.

“Sa i përket veprimi tonë ka qenë veprim politik i domosdoshëm dhe betimi i deputetit është për të mbrojtur shtetin e Kosovës, territorin për të mos lejuar askënd ta cenoj territorin. Prandaj, veprimet e mija kanë qenë politike dhe nuk ndihem fajtor për veprimet”, ka thënë Lekaj.

Edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, për veprën penale me të cilën ngarkohet është deklaruar e pafajshme.

“Të gjitha veprimet janë qenë publike, rrjedhimisht për bindje dhe qëllime politike ky ka qenë motivi. Asnjëherë nuk e kam mohuar veprimin si të tillë, kanë qenë veprime të përsëritura në fakt në sallën e Kuvendit, në kuadër ë mandatit të deputetes së Republikës së Kosovës, për të gjitha veprimet e mija të cilat nuk i mohoj pra i pohoj nuk ndihem fajtore”, ka thënë ajo.

Po ashtu, edhe ish-deputetja e LV-së dhe PSD-së, Besa Baftiu është deklaruar e pafajshme në këtë proces gjyqësor.

“Lidhur me veprën të cilën e kemi kryer ndihem e pafajshme duke pasur parasysh se ato kanë qenë veprime politike ashtu siç e ceku edhe kolegia ime. Kemi bërë veprime të cilat kanë qenë publike në Kuvendit të Kosovë gjatë mandatit si deputetë”, ka thënë Baftiu.

Në shqyrtimin fillestar i pranishëm ishte edhe prokurori Ilaz Beqiri e cili ka kërkuar që seanca për procesin gjyqësor tutje të vazhdojë, por më pas kryetarja e trupit gjykuese, Fatmire Dermaku, ka thënë nuk është e mundur të vazhdojë seanca, prandaj seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 maj në orën 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Haxhiu, Lekaj, Baftiu dhe Kadaj-Bujupi akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë është thënë se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili ka…