Katër të arrestuar gjatë operacionit evropian kundër krimit kibernetik
Katër persona janë arrestuar në Ukrainë dhe Armeni dhe më shumë se 100 serverë në internet janë nxjerrë jashtë funksionit apo janë penguar gjatë një operacioni të madh që shënjestroi krimin ndërkombëtar kibernetik që ka prekur mijëra njerëz, tha Europol-i më 30 maj.
Operacioni u krye në mes të 27 majit dhe 29 majit. Agjencia për zbatimin e ligjit e Bashkimit Evropian tha se ky ishte “operacioni më i madh kundër ‘botnet-ëve’, që kanë luajtur rol të madh në vendosjen e ‘ransomware’ ”, apo softuerëve keqdashës, që kodojnë të dhënat.
Ndërkaq, termi ‘botnet’ përdoret për t’iu referuar një rrjeti të ndërlidhur kompjuterësh që hakerët përdorin për të përhapur viruse.
Ky operacion kundër krimit kinerbetik u iniciua dhe u udhëhoq nga Franca, Gjermania dhe Holanda. Në operacion u përfshin disa shtete të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Ukraina, tha Europol-i përmes një deklarate, shkruan Rel.
Ky operacion, sipas ministres së Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, ishte “goditja më e rëndësishme” deri më tani ndaj krimit kibernetik.
Gjatë operacionit, autoritetet kanë shkatërruar rrjetet përmes së cilave janë kryer sulme kibernetike në mbarë botën. Mijëra persona ishin viktima nga ky krim kibernetik.
Një prej të dyshuarve kryesor, sipas autoriteteve, kishte përfituar të paktën 69 milionë euro në kriptovaluta, duke mundësuar përdorimin e infrastrukturës kriminale në internet për të kryer sulme kibernetike.
Europol tha se një prej personave të dyshuar u arrestua në Armeni dhe tre të tjerë në Ukrainë, duke shtuar se më shumë se 2.000 domene tani janë nën kontrollin e kësaj agjencie.