Katër të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnjë dhe Slloveni
Katër persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie që i ka goditur disa vende të Ballkanit në pasditen e së mërkurës.
Dy persona kanë vdekur në Zagreb të Kroacisë, një në Bled të Sllovenisë dhe një në Bërçko të Bosnjë-Hercegovinës.
Stuhia e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme i ka shkulur pemët, dhe e ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Në Bosnjë është raportuar se 20 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në Zagreb është raportuar për tetë persona të plagosur.
Stuhia i ka përfshirë edhe qytetet serbe, Novi Sad dhe Beograd, por atje është raportuar vetëm për dëme materiale.
Në zonën e Shamacit, në veri të Bosnjë-Hercegovinës, Shtabi i Situatave Emergjente, e ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore, pasi era ka shkaktuar dëme të mëdha.
Në të njëjtën kohë, Aeroporti në Banja Llukë është mbyllur për qarkullim, pasi stuhia e ka dëmtuar çatinë e objektit.
Lajmi për stuhinë vjen teksa bota po përballet me temperatura ekstreme në ditët e fundit. Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut. Me temperatura të larta është përballur edhe rajoni i Ballkanit.