Katër të vdekur nga virusi i ri në Kinë
Katër persona kanë vdekur në Kinë, nga një virus i organeve të frymëmarrjes.
Virusi është përhapur në më shumë se 220 pacientë në disa provinca, si dhe në Tajlandë, Japoni dhe Korenë e Jugut.
Autoritetet mjekësore kineze, më 20 janar, konfirmuan se 15 veta nga personeli mjekësor, ishin infektuar me koronavirusin e ri.
Përhapja tek punonjësit e mjekësisë tregon se virusi transmetohet më lehtë sesa mendohej më parë.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka thirrur një takim urgjent më 22 janar, për të diskutuar krizën dhe për të përcaktuar nëse shpërthimi i virusit është një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.
Australia ka njoftuar se do të fillojë kontrollimin e pasagjerëve gjatë fluturimeve nga Wuhan.
Sidoqoftë, shefi mjekësor i Australisë, Brendan Murphy, pranoi se masa do të ofronte vetëm “mbrojtje të kufizuar”, sepse periudha e inkubacionit “është ndoshta një javë”.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA më 18 janar tha se do të fillojë ekzaminimin në tre aeroporte amerikane – San Francisko, Los Angeles dhe New York – të pasagjerëve që vijnë nga Kina qendrore.
Zyrtarët shëndetësorë e identifikuan virusin, i cili u shfaq për herë të parë në Vuhan në muajin dhjetor, si një lloj koronavirusi.
Sipas tyre, ai ka çuar në një shpërthim të pneumonisë virale, porse ende mbeten shumë paqartësi rreth tij.
Ky shpërthim, sipas autoriteteve shëndetësore, ka ringjallur kujtimet e virusit Sars – gjithashtu një koronavirus – që ka lënë mbi 770 njerëz të vrarë në fillim të viteve 2000, në dhjetëra vende, kryesisht në Azi.