Katër vetëvrasje për tre muaj
Vdekja e një polici dhe një doktoreshe në Gjilan, e së fundmi edhe rasti i vdekjes së aktorit të serialit komik ‘O Sa Mirë’ Art Kurti, janë shënuar si akte të vetëvrasjes nga Policia e Kosovës.
Gjatë tre muajve të këtij viti në Policinë e Kosovës janë shënuar katër vetëvrasje, por ka edhe raste të tjera të cilat janë iniciuar si vdekje e dyshimtë, e ndonjë nga to pas përfundimit të hetimit dhe procedurave mjeko-ligjore mund të hyjnë në kategorinë e vetëvrasjeve.
Policia e Kosovës i ka thënë “Kallxo.com” se kësaj çështjeje i qasen në aspektin e hetimit të aktit si akt.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2015 janë evidentuar 60 vetëvrasje dhe 219 tentim vetëvrasjeje, në vitin 2016 janë evidentuar 37 vetëvrasje dhe 229 tentim vetëvrasjeje dhe në vitin 2017 janë evidentuar 32 vetëvrasje dhe 216 tentim vetëvrasjeje.
“Sa i përket gjinisë dhe moshës së viktimave të rasteve të vetëvrasjeve, nuk mund të themi se është një moshë e caktuar që dominon, edhe pse raste pak më të shpeshta janë ato me viktima të moshave nga 18 deri 40 vjeçare”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “Kallxo.com”.
Personat e gjinisë mashkullore, sipas policisë, prijnë në kryerjen e aktit të vetëvrasjes.