Katër vitet e qeverisë Kurti – çmimi i energjisë u rrit me 85.5%, i produkteve esenciale mbi 50%.

06 shkurt 2025 | 21:43

Me të marrë pushtetin, kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij u shndërruan në spektatorë të rritjes eksponenciale të çmimeve të energjisë dhe produkteve esenciale që u rritën me mbi 50 për qind, ndërsa inflacioni i përgjithshëm përgjatë katër viteve arriti në 22 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Anketa e UND-së e vitit 2024 se 44 për qind e familjeve që raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë shërbeu si indikatori më përgënjeshtrues i pretendimeve të qeverisë për ‘menaxhim të inflacionit’.

Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe joefektive në adresimin e krizës. “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”

Madje, raporti theksonte se ishte pikërisht inflacioni i lartë që ndaloi rrugën e Kosovës drejt rimëkëmbjes së madhe paspandemike të vitit 2021, vit në të cilin Lëvizja Vetëvendosje nisi udhëheqjen me një rritje prej 16.32 për qind të Bruto Produktit Vendor gjatë tremujorit të dytë.

Goditja më e rëndë për qytetarët erdhi nga shtrenjtimi i paprecedentë i energjisë elektrike. Përgjatë katër viteve të fundit, çmimet e energjisë elektrike përjetuan rritje stratosferike.

Nga viti 2020 deri më sot, çmimi i energjisë është rritur me një marramendëse 85.5 për qind, duke e bërë përballimin e faturave një sfidë gati të pamundur për shumë familje.

Këtë e konfirmoi për Klan Kosova ish-anëtari i Vetëvendosjes, Selatin Retkoceri: “Isha i interesuar dhe doja të bëja një lloj analize për të parë se çfarë ka ndodhur që kur qeveria Kurt mori pushtetin. Kemi konstatuar se çmimi i energjisë elektrike është rritur me rreth 85.5 për qind që nga viti 2021.”

Madje, sipas tij, Qeveria me qëllim tentoi ta fsheh rritjen megalomane të çmimit të energjisë elektirke.

Rritja e çmimeve të energjisë përkeqësoi ndjeshëm koston e jetesës për familjet kosovare. Sipas raportit të Bankës Botërore, “Raporti i Vendit për Klimën dhe Zhvillimin”, shumë prej këtyre familjeve përballen me sfida të mëdha për të plotësuar nevojat bazë të konsumit energjetik, duke ndarë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për të paguar faturat e larta të energjisë.

Sipas raportit, rreth 22 për qind e familjeve kosovare shpenzojnë 10 për qind ose më shumë të shpenzimeve mujore për faturat e energjisë, duke kaluar pragun që zakonisht përdoret për të përcaktuar varfërinë energjetike.

Si pasojë, mbi 40 për qind e familjeve nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpitë e tyre mjaftueshëm të ngrohta gjatë muajve të dimrit.

“Rreth 22 për qind e familjeve kosovare shpenzojnë 10 për qind ose më shumë të shpenzimeve mesatare mujore për faturat e energjisë, një prag tipik për varfërinë energjetike, dhe më shumë se 40 për qind të tjera nuk arrijnë t’i mbajnë shtëpitë e tyre mjaftueshëm të ngrohta.” – thuhet mes tjerash në raport.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valon Grabovci nga Prizreni: Në mënyrë festive si sonte, në…