Katër vjet nga marrëveshja e Uashingtonit, Hoti: Kosova s’ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme

22 nëntor 2024 | 13:04

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për katër vjet, Kosova nuk ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme që dalin nga marrëveshja e Uashingtonit të cilën e kishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Hoti ka vlerësuar se implementimi i kësaj marrëveshje do të kishte impakt në ekonominë e Kosovës. Gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, Hoti ka thënë se ka punuar me aleatët në mënyrë që Kosova të ecë përpara sa i përket integrimit si dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Hoti ka thënë se nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë, andaj, sipas tij duhet të fokusohen në ekonominë e vendit.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur tryezë diskutimi lidhur me katërvjetorin e marrëveshjes historike për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti Donald Trump.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili atë kohë kishte nënshkruar marrëveshjen, ka thënë se ndonëse kanë kaluar mbi 4 vjet nga arritja e marrëveshjes, Kosova ende nuk ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme të cilët do të kishin impakt në ekonominë e vendit.

Gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, ai ka thënë se ka punuar me aleatët në mënyrë që Kosova të ecë përpara “sa i përket integrimit si dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë”.

Hoti ka thënë se nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë, andaj, sipas tij duhet të fokusohen në ekonominë e vendit.

“Ne kemi punuar ngushtë me aleatët që çështja e Kosovës të jetë sfidë për integrim euroatlantik, e jo sfidë e sigurisë. Tash kam frikë se gjatë këtyre viteve jemi kthyer prapë në pikën zero ku Kosova trajtohet në tavolinat e aleatëve si problem i sigurisë. Nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe një aneks në Ohër. Sot në vitin 2024 besoj që do të duhej të ishim në kulm të investimeve edhe në hekurudhë edhe në autostrada edhe në krijimin e portit në dalje të Prishtinës dhe më vjen shumë keq që nuk kemi avancuar në projektin e gazit. Këto projekte nuk janë anuluar, por kemi humbur kohë shumë të vlefshme. Unë besoj që pas zgjedhjeve të ardhshme t’i kthehemi kësaj agjende. Ne nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrijmë një marrëveshje me Serbinë, andaj duhet të fokusohemi në ekonominë e vendit”, ka thënë Hoti.

Më tutje, Hoti ka thënë se beson që administrata e re e Trumpit do të ketë qasje më pragmatike ndaj dialogut Kosovë-Serbi. “Unë hezitoj të interpretojë politikat e presidentëve amerikanë. Se si do të qaset tani presidenti i ri karshi dialogut Kosovë-Serbi po tentoj të besoj që do të shohim një qasje shumë më pragmatike. Unë nuk besoj që kjo qasje mund t’i cenoj arritjet që i kemi deri më tani. Kjo nënkupton që të shtyhen të dy palët që të hyjnë në aranzhime që e ndërrojnë qasjen e dy vendeve në arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë Hoti.

Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se kjo odë gjatë këtyre viteve ka vazhduar të mbështes dispozitat e marrëveshjes së Uashingtonit. “Si asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur që një marrëveshje e tillë të ndërmjetësohet nga ShBA dhe të nënshkruhet në njërin prej institucioneve të rëndësishme. Jemi krenar që Oda Amerikane edhe në atë kohë edhe përgjatë këtyre viteve ka vazhduar të mbështes dispozitat e marrëveshjes së Uashingtonit. Oda Ekonomike është duke organizuar aktivitete për të përafruar bizneset e Kosovës me ato të Serbisë. Ne synojmë dhe besojmë që katër liritë janë të mundshme dhe mbajmë qëndrim optimist sa i përket të ardhmes së këtyre katër lirive”, ka thënë Zeka.

Por, gazetari Adriatik Kelmendi, ka theksuar se Kosova aktualisht ndodhet në pikën më të ulët të marrëdhënieve me aleatët. “Atëherë kishte optimizëm. Kishte një proces që kishte hyrë në kanalet e veta. Ishte procesi që udhëhiqej nga Brukseli. Ne sa herë që shihnim se procesi mund të merrte ndonjë kahe ne më së shumti thoshim se na duhet përfshirja e drejtpërdrejt amerikane. Atëherë kishte optimizëm se një marrëveshje përfundimtare mund të ishte më afër se sa që shihet sot. Ne jemi fituesit e asaj çfarë ka ndodhur. Por Serbia është aleate më e madhe ekonomike për shtetet tjera sesa Kosova”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se kjo është dëm për Kosovën.

Sipas tij rëndësia ekonomike nuk mund të ndahet nga politika.“I vetmi shtet i cili nuk e sanksionon Rusinë por përfiton gjatë gjithë kësaj kohe është Serbia”, ka thënë Kelmendi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte është Prime i Big Brother Vip Kosova. Është biseda…