Katër vjet nga tërmeti në Shqipëri nga i cili vdiqën 51 persona
Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fuqishëm prej 6.4 ballë të Rihterit, me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në ora 03:54 CET (UTC +1) më 26 nëntor 2019.
Njëmbëdhjetë bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.
Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3.000 të tjerë u plagosën. Në mesin e viktimave ishin edhe dy vëllezër nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, Shemsedin e Isa Abazi të cilët humbën jetën tragjikisht nën gërmadhat e njërit nga hoteleve që u shembën në orët e para të 26 nëntorit. Raportohet se tërmeti preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona.
Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.
Dëme u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe fshatin e Kodër-Thumanës, të cilat ndodhen afër epiqendrës së tërmetit. Dy hotele dhe dy pallate u shembën në Durrës. Katër ndërtesa, përfshirë një pallat 5-katësh u shembën në Kodër-Thumanë e cila u godit më rëndë nga tërmeti.
Qyteti i Laçit u dëmtua gjerësisht. Gjendja e jashtëzakonshme që do të zgjaste 30 ditë u shpall nga qeveria shqiptare për Durrësin, Thumanën dhe Tiranën e më vonë u zgjerua për Laçin dhe Lezhën.
Tërmeti u ndoq nga pasgoditje të cilat drodhën strukturat e dëmtuara gjatë tërmetit dhe shkaktoi frikë midis qytetarëve.
Rrjedhimisht një numër shtëpish nuk ishin më të banueshme. Qindra ushtarë shqiptarë dhe rreth 2.000 oficerë policie u dërguan në zonat e prekura nga tërmeti. Ata u ngarkuan me detyrën e ndihmesës në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në ngritjen e çadrave dhe kampeve të strehimit për njerëzit e mbetur tashmë pa shtëpi. 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për të strehuar rreth 1.000 persona.
Kosova bëri detyrën duke i dalë në ndihmë Shqipërisë. Në mënyrë individuale u mblodhën ndihma ndërsa në mënyrë institucionale u ofrua të strehonte familje. Njësia e kërkim-shpëtimit të FSK-së, dhe ajo e K9, njësia e cila operon me qentë, do t’u dilnin në ndihmë banorëve të Durrësit dhe Thumanës, vende këto në të cilat tërmeti kishte goditur më shumë.
Shumë njerëz të pastrehë në Kodër-Thumanë kaluan dy net në çadra duke refuzuar për të qëndruar në hotelet në Detin Adriatik. Forcat Speciale RENEA vijuan të kërkonin për disa njerëz që u raportuan të humbur dhe të paktën 45 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat.
Sipas informacioneve zyrtare 51 vetë humbën jetën – 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Pas tërmetit, humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri nga plagët dhe tjetri i dha fund jetës për shkak të stresit post-traumatik. /KP/