Katër vjet pa Adem Demaçin

26 korrik 2022 | 08:13

Sot bëhen katër vjet qëkur në moshën 82-vjeçare ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Me prejardhje nga Lupqi i Podujevës, Demaçi lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj) në vitet 1990-1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai në vitet ’50 ka shkruar romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai shënoi sukses vetëm pas viteve nëntëdhjetë.

Pasditen e 26 korrikut 2018 Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë. /KP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi amerikan Adam Smith, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të…