Kavjet e antishqipes
(Duke lexuar librin më të ri “TERRORI KOMUNIST” të një prej historianëve më produktivë shqiptar, dr. Qerim Lita, botuar nga Sh.B “Konica Press”, Shkup, 2023)
Ilir TOPI
Shëndeti etnik do të jetë në gjendje të mirë gjithnjë përderisa shprehim përkujdesjen për shfletimin e kujtesës, fletë për fletë, të nxjerrë nga arkivat e ndryshëm. Një popull që e harron të kaluarën, që i amniston me harresë kriminelët, xhelatët si dhe bashkëpunëtorët e tyre, është pa perspektivë ideale!
Në këtë drejtim, shqiptarët, sapo janë këndellur nga goditjet e ndryshme ideologjike si dhe të pushtuesve të ndryshëm, gjithnjë i janë rrekur përkujtimit të së kaluarës, përkujtimit të mynxyrave të shumta si dhe kanë ndriçuar të gjithë shkaqet dhe shkaktarët e krijimit të situatave të padenja për qenie njerëzore.
“Laboratori” ku provohej antishqiptaria
Historiani ynë i mirënjohur, dr. Qerim Lita, këto ditë publikoi librin e vet më të ri “Terrori komunist”, i cili, si në shiritin celuloid të filmit, na sjell përpara situata, pamje të trishta, na i kujton ngjarjet tragjike nëpër të cilat kaluan shqiptarët e viseve etnike, na i sjell emrat e figurave kombëtare, por i zhveshë edhe ata antishqiptarë të egër si dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë-kavjet që rekrutoheshin përmes UDB-së famëkeqe.
Libri në fjalë flet mbi reagimin e shtresave të shëndosha kombëtare fill pas masave të dhunshme serbe të vëna pas demonstratave studentore shqiptare më vitin 1981; flet për Kosovën dhe shqiptarët sipas dokumenteve komuniste jugosllave gjatë vitit 1981-1990; flet për vrasjen e ushtarëve shqiptarë në ushtrinë jugosllave që nisi pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë; flet për atë se si luftohej “nacionalizmi dhe seperatizmi shqiptar” sipas metodave serbe gjatë vitit 1987-1990; flet mbi qëndrimet e intelektualëve të Kosovës për fatin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe për tronditjen e pushtetit maqedonas nga ky shqetësim kombëtar: flet për masat ligjore maqedonase në pengimin e emërtimit të fëmijëve shqiptarë me emra shqip.
Një kapitull i veçantë i kushtohet Shkollës Fillore “LIRIA”, shkollë kjo e para në gjuhën shqipe në Shkup, e cila u hap më 1 dhjetor të vitit 1944. Themeluesit dhe mësuesit e parë të saj ishin: Azem Marana, Hasan Bilalli, Mahmut Dumani, Anica Lora, Bajram Bajrami, Franjo Sopi, Hajrie Kokoboko dhe Halil Bejta.
Me egërsimin e qëndrimeve të qarqeve antishqiptare serbe dhe maqedonase, gjithnjë e më shumë vihej në shënjestër kjo Shkollë! “Liria” do të ngelet përjetë si një sinonim i dhunës, barbarisë antishqiptare në Maqedoninë jugosllave!
Urrejtja maqedonase kundër arsimit në gjuhën shqipe dhe, mbi të gjitha, urrejtja maqedonase kundër Gjuhës Shqipe shpërfaqet pikërisht në murin ballor të kësaj Shkolle dhe, pikërisht në katroren ku shkruante në shqip fjala “LIRIA”! Projektuesit e kësaj fjale ikonografike UDB-a maqedonase i shihte në kuadrin arsimor të kësaj shkolle. Sipas “fakteve” të UDB-së, prej 24 mësuesve shqiptarë të kohës, 12 të tillë ishin nacionalistë të ashpër të cilëve duhej “shtypur koka”. Revoltën e tyre do ta provokojnë me kërkesën nga Komiteti për arsim, kulturë dhe kulturë fizike pranë komunës “Qendër” të Shkupit, i cili në qershor të vitit 1983, kërkoi që shkolla fillore “Liria” e Shkupit, të sjell Statut të ri, me të cilin do të përcaktohej që mbishkrimi, vula dhe vula katrore e shkollës të ishte vetëm në gjuhën maqedonase, dhe jo edhe në gjuhën shqipe, siç kishte qenë nga themelimi i shkollës (dhjetor 1944) e deri atëherë. Po ashtu, nga ana e inspektorit komunal për çështje administrative do të kërkohet që të hiqet edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe “LIRIA” në murin e shkollës dhe të zëvendësohet me mbishkrimin në gjuhën maqedonase e me alfabetin cirilik “ЛИРИЈА”.
Kundër kësaj shkolle e cila nisi të konsiderohet edhe si “bastion i nacionalizmit shqiptar”, nga ana e organeve partiake, lokale, qendrore e shtetërore, do të zhvillohet një fushatë e koordinuar dhe gjithnjë e më e egër. Në shërbim të kësaj fushate do t’i vënë edhe mediat e kohës dhe, fatkeqësisht do të gjejnë edhe gazetarucë shqiptarë të cilët do t’ia mbajnë ison strukturave të UDB-së për t’i përndjekur të gjithë ata “profesorë kokëfortë” që ngulnin këmbë në ruajtjen e shqipes në këtë Shkollë me renome kombëtare.
Gazeta në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit” e cila botohej tre herë në javë, si dhe dy gazetat e përditshme në gjuhën maqedonase “Nova Makedonija” dhe “Veçer”, të cilat rreptësishtë kontrolloheshin nga pushteti i atëhershëm komunist maqedonas, do të botojnë shkrime në vazhdimësi kundër “nacionalistëve shqiptarë” të kësaj Shkolle, ndërsa, nga ana tjetër, do t’i mbyllin të gjitha faqet për zërin e arsimtarëve dhe udhëheqësve të Shkollës “Liria”.
Atëbotë (1987), e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në tërë Jugosllavinë, që do ta botojë reagimin e drejtoreshës së Shkollës “Liria”, Halide Pallashot, ishte “Bota e Re”, e Prishtinës.
Udbashëve gjithnjë “u shkon” kungulli mbi ujë
Për këtë qëndrim kombëtar të arsimtarëve të “Lirisë”, për këta rojtarë të shqipes në këtë Shkollë, sipas fakteve që i sjell libri “Terrori komunist” shihet se, e para që do të reagojë do të jetë pikërisht “Flaka e Vëllazërimit”, e cila në një shkrim me titull “Referendumi i dështuar i Shkollës Fillore ‘Liria’ të Shkupit”, të botuar më 8 mars të vitit 1987, nga autori Nazif Zejnullahu, do të shkruante se arsimtarët e kësaj shkolle çuditërisht po këmbëngulin që gjuha shqipe të përdoret edhe më tej në këtë shkollë. Madje autori i këtij shkrimi, Nazif Zejnullahi habitej me këtë “kryeneçësi” të arsimtarëve, duke nënvizuar se kërkesat e tyre ishin fare të paarsyeshme, sepse, sipas gazetarit në fjalë, asnjë komunë e Shkupit nuk ishte e shpallur si zonë dygjuhësore. Autori, kjo vegël e UDB-së, thoshte: “… Arsimtarët e kësaj shkolle, me këmbëngulje kërkojnë që në nenin 5 dhe 7 të figurojë edhe teksti në të cilin do të normohej e drejta e shkollës që mbishkrimin, vulën dhe vulën katrore t’i ketë në dy gjuhë – maqedonisht dhe shqip… Kjo kërkesë e tyre është e paarsyeshme, pasi asnjë komunë e Shkupit nuk është shpallur zonë dygjuhësore, prandaj edhe çudit kryeneçësia e të punësuarve të kësaj shkolle…”. Artikullshkruesi i këtij shkrimi tendencioz dhe, mbi të gjithash, antishqiptar, i befasuar dhe i brengosur tej mase “për një qëndrim të padrejtë dhe të dëmshëm për shoqërinë komuniste maqedonase” nga ana e kolektivit të shkollës, parashtronte këto pyetje: “…Si është e mundur, edhe pas disa vjetësh diskutimesh të gjata në organet dhe organizatat shoqërore-politike të kësaj shkolle të mos mbizotëroj bindja se Statuti i shkollës është në kundërshtim me Statutin e komunës Qendër dhe me Ligjin për edukimin dhe arsimimin parashkollor dhe shkollimin fillor? Ç’do të thotë fakti se, përkundër të gjitha shkollave me paralele në gjuhën shqipe në komunat e Shkupit, vetëm disa anëtarë të kolektivit të kësaj shkolle insistojnë që mbishkrimi, vula dhe vula katrore të jenë në të dy gjuhët? A s’është ky një keqpërdorim i besimit dhe i interesimit të organeve komunale që kolektivi ta zgjidhë këtë çështje me fuqitë e veta dhe të mbizotërojë vetëdija se kjo këmbëngulje shpije në ujëra të turbullta…”. I njëjti shkrim, një ditë më pas (9 mars), me titull “Shkolla pa Statut” përcillet edhe nga e përditshmja maqedonase “Veçer”.
Kësisoj, Shkolla fillore “LIRIA” do të llogaritet si një “eksperiment i suksesshëm” i shovenëve maqedonas të fshehur nëpër struktura të UDB-së, në luftën e tyre për ta larguar gjuhën shqipe nga përdorimi i gjerë e i hapur dhe ngritja e gjuhës maqedonase në gjuhë të vetme dhe zyrtare të Maqedonisë. Shqiptarët e diskutueshëm që u vunë në shërbim të elementeve antishqiptare, edhe sot e kësaj dite i ke në pozita të liderëve fetarë, në pozita të drejtimit të mediave në gjuhën shqipe, në diplomaci, nëpër parti, madje duke e bërë gjoksin gropë nga grushtet që “godasin” për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, por ama pa e nxjerrë nga goja asnjë fjalë në gjuhën shqipe e në të mirë të gjuhës shqipe. Çuditërisht UDB-ashëve edhe më tej po u shkon kungulli mbi ujë, sado që mbi këtë kungull peshojnë faktet e arkivuara dhe të ndriçuara nëpër botime të ndryshme, siç është ky i fundit “Terrori komunist” i autorit dr. Qerim Lita.