‘Kawa Group’ i bashkohet aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’
Kompania ‘Kawa Group’ i është bashkuar fushatës së madhe ‘Ta pastrojmë Kosovën’, e cila nis më 15 shtator dhe zgjatë tre muaj, deri më 15 dhjetor.
Të martën ‘Let’s Do It Kosova’, ‘Kawa Group’ dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si bartëse e task-forcës për pastrimin e Kosovës, kanë nënshkruar memorandum për ndërmarrjen e aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe në Prishtinë që gjendet te stacioni i autobusëve.
Iniciativa për pastrimin e deponisë më të madhe në Prishtinë dhe kthimin në park të gjelbëruar, ka ardhur si kërkesë nga kompania ‘Kawa Group’ për ‘Let’s Do It Kosova’.
Drejtori ekzekutiv i ‘Let’s Do It Kosova’, Luan Hasanaj, ka falënderuar kompaninë ‘Kawa Group’ për iniciativën për pastrimin e kësaj deponie.
Edhe njëherë, ai u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen në aksionin e madh për pastrimin e Kosovës që do të fillojë më 15 shtator.
“Sot bashkë po e përçojmë një mesazh për nevojën e madhe të kontributit në shoqëri të sektorit të biznesit. Pas krijimit të Task Forcës nga Qeveria, është radha e qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi dhe ta ndihmojnë Qeverinë dhe të gjithë neve të tjerëve për pastrimin e Kosovës. Kjo që po ndodh sot me ‘Kawa’-n është shembull që duhet të ndiqet nga të gjithë, sidomos në sektorin e ndërtimit, pasi një numër i madh i deponive ilegale të mbeturinave janë me mbetje ndërtimore. Ndonëse lokacionet për këto mbetje akoma nuk janë përcaktuar nga komunat, kjo nuk nënkupton se bizneset kanë të drejtë ta dënojnë natyrën, por duhet bërë zgjidhje. U bëj apel të gjithëve të na bashkohen në këtë rrugëtim, sepse vetëm kështu mundemi ta bëjmë Kosovën e pastër”, ka thënë Hasanaj.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka falënderuar kompaninë ‘Kawa Group’ dhe ‘Let’s Do It Kosova’ që do të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e gjithë vendit.
Ai ka apeluar tek të gjitha institucionet, kompanitë dhe qytetarët që të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e Kosovës.
/Epoka e re/