
‘Kazan qeverisës’, Haliti: Kurti ka nevojë për Limajn për t’ia kaluar ‘ylberin’ që ta formojë qeverinë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke analizuar raportin në mes të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, si dhe mundësinë e një koalicioni të ri qeverisës.
Haliti ka shkruar në “Facebook” se ndonëse nuk ka informacion të konfirmuar për një takim ndërmjet Kurtit dhe Limajt, ai ka theksuar se të dy politikanët kanë përgjegjësi të mëdha ndaj elektoratit dhe shtetit të Kosovës.
“Fatmiri ka edhe një përgjegjësi shtesë, që është besë (e besë në politikë s’ka), ndaj partnerit – AAK-së, me të cilin duhet të jetë fer dhe të paktën ta njoftojë për shkurorëzimin politik”, ka shkruar Haliti.
Më tutje, Haliti është shprehur se nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një iniciativë serioze apo për një “tymnajë mediatike” që synon të përgatitë opinionin për negociata të mundshme.
Sipas Halitit, PDK-ja është e vetmja parti që nuk ka qenë pjesë e “kazanit qeverisës” dhe kjo, sipas tij, i ka lejuar të ruajë një qëndrim të qartë ndaj negociatave për formimin e qeverisë.
Ai ka përmendur edhe Nismën Socialdemokrate si një partner të mundshëm të Vetëvendosjes në një koalicion të ri qeveritar.
“Në vështrimin tim, Kurti ka nevojë për të bërë koalicion me një parti të vogël, e cila ia mundëson kalimin e ‘ylberit’, siç është Nisma Socialdemokrate, parti me ideologji të majtë si LV-ja” ka shkruar Haliti.
Duke komentuar heshtjen publike të Kurtit dhe Limajt, Haliti ka thënë se një marrëveshje për mostransparencë mes tyre është e mundur.
Postimi i plotë i Halitit: