KB Peja: Kështu fluturojnë shqiponjat, Mitrovica është zemra e Kosovës
KB Peja e ka fituar titullin e kampionit në Superligën e basketbollit pas plot dhjetë vitesh. Klubi pejan këtë sukses e arriti falë fitores në ndeshjen e pestë finale ndaj Trepcës në Mitrovicë.
Ky sukses e ka bërë krenarë klubin nga Rrafshi i Dukagjinit që përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” ka përshkruar rrugën deri të ky sukses historik.
“Kështu duken kampionët, kështu fluturojnë Shqiponjat. Klubi i Basketbollit Peja ka hasur në shumë probleme, sfida, vështirësi dhe rreziqe për ta arritur titullin të cilin sonte e kemi fituar. Por të gjithë jemi në dijeni që i ka Peja disa djem, të cilët asnjëherë në këtë jetë nuk do e lejojnë qytetin e tyre në baltë. Shfrytëzojmë rastin ta falënderojmë nga zemra secilin individ, secilën kompani dhe secilin akt i cili pak ose shumë ka ndikuar që KB Peja të stoliset me titullin ‘Kampion i Kosovës’. Falënderojmë lojtarët e ekipit tonë, të cilët djersiten uniformen më të bukur në botë për tu shpallur kampion. Ju jeni sonte shpirti i qytetit të Pejës dhe qytetarëve të saj, sonte është nata juaj, sonte së bashku po krijojmë kujtime të cilat nuk do i harrojmë përgjatë gjithë jetës. E ku ka si UCF?? Ku ka si pas ardhësit e Haxhi Zekës? Ku ka si ajo ushtri që asnjëherë nuk u dorëzua deri sa i erdhi koha që ta festojë këtë titull. Shijojeni natën tuaj, ju jeni ata që e mbani qytetin tonë gjallë, ju jeni muskuli më i fuqishëm i kthetrave të Shqiponjës”, thuhet në postimin e Pejës.
Klubi pejan ka vlerësuar maksimalisht klubin kundërshtar të Trepçës, derisa Mitrovicën e ka quajtur zëmër të Kosovës. “As se si nuk mund të harrohet KB Trepça për luftën e fuqishme të cilën zhvilluan në këto ndeshje finale, jeni ekip për çdo lëvdatë dhe të jeni të bindur se secili qytetar i Kosovës është i vetëdijshëm për këtë. Mitrovica është zemra e Kosovës. Rivaliteti i jonë në sport është i pamohueshëm, por Kosova dhe dashuria për të qëndron gjithmonë mbi rivalitetet e dëshirat tona sportive. Ju jeni vëllezërit tonë, faleminderit Mitrovicë”, thuhet në postimin e klubit të Pejës.
/Epoka e re/