KB Peja sonte përballet në FIBA Europe Cup me ekipin nga Gjermania
Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, sonte (e mërkurë) do ta luajë ndeshjen e parë të stinorit të rregullt në FIBA Europe Cup. Duelin e parë të Grupit H, Peja e luan në udhëtim, duk do të përballët me ekipin nga Gjermania, Niners Chemnitz.
Ndeshja do të luhet në orën 19:00.
Basketbollistët e Pejës të martën kanë udhëtuar për në Gjermani me shpresën se formën e mirë që e kanë treguar në kampionatin e Kosovës ta shfaqin edhe në këtë ndeshje.
Peja është ekipi i vetëm që i ka katër fitore në po aq ndeshje të luajtura në Superligë, ndërsa në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup është zhvendosur pas eliminimit në çerekfinale të turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kundërshtari i parë i Pejës në FIBA Europe Cup nuk është aspak i lehtë. Pas tri ndeshjeve të luajtura në elitën e basketbollit gjerman, Chemnitzi ka regjistruar dy fitore dhe një humbje. Në radhët e veta Chemnitz ka shtatë lojtarë të huaj, përfshirë katër amerikanë, dy kanadezë dhe një çek.
Fundori Duane Wilson është treguar më efikasi te Chemnitzi deri më tani, me mesatare prej 15 pikëve e 5 asistimeve. Kjo skuadër edhe edicionin e kaluar ishte pjesë FIBA Europe Cup dhe në fazën e grupeve u përball me Golden Eagle Yllin, të cilin në të dyja ndeshjet e mposhti me mbi 20 pikë dallim.
Chemnitzi e kaloi fazën e parë të grupeve, por nuk arriti të avancojë përtej fazës së dytë grupore. Në anën tjetër Peja paraqitet për herën e dytë në FIBA Europe Cup. Në edicionin 2016/17 pejanët debutuan ku në gjashtë ndeshje të zhvilluara në grup regjistruan një fitore.
Pas duelit me Chemnitzin, Peja në kuadër të Grupit H do të përballet edhe me Heroes Den Bosch të Holandës dhe Spojnia Stargard të Polonisë.