KB Prishtina e qindpërqindtë këtë sezon, mposht Kerasan Prishtinën
Sigal Prishtina ka arritur të shënojë fitoren e radhës dhe këtë herë e mposhti Kerasan Prishtinën me rezultat, 113:84.
Ndeshja nisi në mënyrë të niveluar, pasi të dyja skuadrat arritën të shënonin pikë, por edhe pati gabime të shumta.
Çereku i parë përfundoi 28:25, e i ngushtë ishte edhe çereku i dytë i ndeshjes, pasi Sigal Prishtina shkoi në pushim mes pjesëve me vetëm gjashtë pikë epërsi, 58:52, raporton KTV.
Përvoja e vëllezërve Rugova, por edhe e Alban Veselit dhe kapitenit të Sigalit, Edmond Azemi, bëri që vendësit të shtonin epërsinë në çerekun e tretë dhe për t’u shkëputur në rezultat që deri në fund nuk u arrit të ngushtohej nga Kerasani dhe ndeshja u mbyll me 29 pikë epërsi, 113:84.
Më i dalluari te skuadra triumfuese ishte Fisnik Rugova që shënoi dyshifror të dyfishtë prej 24 pikësh e 15-të kërcimesh, kurse Alban Vesei shtoi 19 të tjera, për fitoren e 17-të të Sigal Prishtinës që ende nuk di për humbje në këtë edicion të IP Superligës së basketbollit.
Nga ana tjetër, te Kerasan Prishtina që pësoi për herë të 13-të këtë sezon, më i miri në parket ishte Rinor Ahmeti me 22 pikë e 8 kërcime.