KB Prizreni konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike
KB Prizreni ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e ri të Ligës Unike. Skuadra prizrenase edicionin e kaluar në Superligën e Kosovës në basketboll përfundoi garat e rregullta në vendin e parë, kurse në gjysmëfinale të “Play-offit” ishte eliminuar nga Peja, duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në Ligën Unike.
Drejtuesit e klubit prizrenas, pas një takimi me drejtuesit e Ligës Unike, janë pajtuar për të marrë pjesë dhe duke u shprehur të lumtur që do të jenë pjesë e kësaj lige, që bashkon skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria. Më herët, kampioni i Ligës Unike dhe Kosovës, Golden Eagle Ylli, ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa shumë shpejt do të bëhen të ditura të gjitha klubet të cilat do të garojnë në edicionin e ardhshëm të Ligës Unike.
Risi në këtë edicion do të jetë edhe fillimi i garës në konkurrencën e femrave, me tri skuadra nga Kosova dhe tri nga Shqipëria, derisa shorti për të dy konkurrencat do të hidhet në muajin gusht.
Edicioni i ri në Ligën Unike do të fillojë më 20/21 tetor, kurse para fillimit të garave do të organizohet Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat.