KB Trepça në Estoni do t’i zhvillojë ndeshjet e para në FIBA Europe Cup
KB Trepça në Estoni nesër (e mërkurë) e zhvillon ndeshjen e parë në FIBA Europe Cup ndaj skuadrës nga Islanda, Tindastoll. Një ditë më pas, Trepça përballet me Parnu. Synimi i klubit kosovar është vendi i parë në grup dhe avancimi në fazën tjetër.
“Jemi në Parnu të Estonisë, ku do t’i zhvillojmë ndeshjet e para në FIBA Europe Cup, e që shpresojmë shumë se nuk do të jenë të fundit për këtë edicion. Skuadra është shumë e motivuar dhe e përkushtuar për të dhënë maksimumin për sukses në Evropë. Të mërkurën (4 tetor) luajmë me skuadrën nga Islanda, Tindastoll. Ndeshja fillon në ora 18:00. Të enjten (5 tetor) luajmë me skuadrën vendase, Parnu. Edhe kjo ndeshje fillon në ora 18:00. Të dy ndeshjet transmetohen në kanalin zyrtar të FIBA-s në ‘youtube’. Udhëtimi i gjatë për në Estoni është bërë pa asnjë problem, ndërsa atmosfera në skuadër është e shkëlqyer. Synimi është i qartë, vendi i parë në grup dhe avancimi në fazën tjetër. Lojtari i gjashtë do të na mungojë (apo ndoshta edhe nuk do të na mungojë?), por e dimë që jemi në mendjet e zemrat e gjithë juve në Mitrovicë. Ky është motivi ynë më i madh”, thuhet në njoftimin e Trepçës.
/Epoka e re/