KB Trepça reagon pas dënimeve nga FBK-ja

22 shtator 2021 | 15:00

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka qenë e pamëshirshme për KB Trepçën pas incidentit në ndeshjen e Superligës ndaj Prizreni 16.

Ndeshja që u zhvillua në palestrën “Minatori” nuk përfundoi mirë në fundjavë ku u lëndua edhe një basketbollist i mysafirëve. FBK-ja e ka dënuar KB Trepça me 1800 euro, kurse basketbollistët Hajrizi, Zekiqi dhe Haxhiu i ka dënuar me nga një ndeshje moslojë si dhe me nga 600 euro. Bujar Istrefi, zyrtar i KB Trepça është dënuar përjetësisht me ndalesë të ushtrimit të aktivitetit.

Pas këtyre dënimeve ka reaguar skuadra e Trepçës. Mitrovicasit kanë konsideruar se këto dënime janë të rënda dhe të njëanshme, pasi iniciator kryesor i gjithë asaj që ndodhi në palestrën “Minatori” ishte lojtari mysafir Ivan Koljeviq.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

REAGIM PËR OPINION

KB TREPÇA nuk ka reaguar deri më tani lidhur me situatën e krijuar pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së dytë të ART MOTION Superligës. Si klub kemi pritur publikimin e informatorit të xhiros nga ana e FBK-së.

Në informatorin e publikuar të martën bëhet e ditur se klubit tonë i janë shqiptuar dënime në vlerë prej 8100 EUR dhe iu kanë suspenduar tre nga bartësit e lojës. Është dënuar edhe një zyrtar i klubit.

Dënimi i shqiptuar ndaj zyrtarit të klubit është arbitrar dhe në kundërshtim me propozicionet e garave.  Sipas nenit 50.7 të propozicioneve të garave, një vendim i tillë mund të merret për lëndime të rënda, ndërsa të tillë nuk mund ta cilësoj askush pa bazë të dokumentuar.

Këto dënime konsiderohen shumë të rënda dhe të njëanshme për ngjarjen në të cilën iniciatori kryesor ka qenë lojtari i ekipit kundërshtar, Ivan Koljeviq e të cilit çuditërisht nuk iu ka shqiptuar asnjë masë disiplinore nga ana e publikuesit të informatorit edhe pse i njëjti  në videomaterial duket çartë se si drejtohet tek ekipi jonë dhe tenton të sulmoj lojtarin Amin Hot. Lojtari Ivan Koljeviq në deklaratën dhënë në polici ka pranuar që ka qenë iniciatori i ngjarjes.

Në videomateriale duket çartë se si lojtari Urim Zenelaj i ekipit kundërshtar përfshihet në ngjarje duke ushtruar dhunë e çuditërisht as ndaj tij nuk është ndërmarrë masë disiplinore.

Ne si klub i bëjmë thirrje FBK-së dhe komesarit që të rishqyrtojnë të gjitha vendimet e marra.

Dje nënkryetari i KB TREPÇA, Lindrit Misini pas një bisede me trajnerin e Prizreni-16, Arbnor Rifati, i ka shprehur keqardhje dhe janë pajtuar që një incident i tillë nuk duhet ti dëmtojë marrëdhëniet e dy klubeve.

Përkundër kësaj sfide, ne do të vazhdojmë punën për zhvillim dhe avancim të KB TREPÇA dhe basketbollit kosovar në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e Kosovës ka…