KB Vëllaznimi emëron trajner të ri Jeronimo Sarinin
KB Vëllaznimi e ka emëruar trajner të ri Jeronimo Sarin. Ky i fundit debutoi me fitore të madhe në ndeshjen ndaj Prishtinës në kryeqytet me rezultat 85:101 (23:24, 15:26, 21:23, 26:28).
“Dje debutoi me fitore të madhe trajneri i ri i ekipit tonë, Jeronimo Sarin, dhe i cili do të udhëheq skuadrën në vazhdim të edicionit. Trajnerit i urojmë mirëseardhje në ekip dhe suksese në arritjen e qëllimeve tona”, thuhet në njoftimin e Vëllaznimit.
50-vjeçari nga Shibeniku, është emër i njohur për basketbollin kosovar pasi në të kaluarën ka drejtuar edhe skuadra të tjera në vendin tonë, ku fillimisht me Prishtinën në vitin 2017 e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, pastaj në vitin 2019, punoi te Bashkimi e në po të njëjtin vit drejtoi edhe ekipin e Pejës. Sarin ka punuar si trajner edhe në Turqi, Poloni, Belgjikë, Francë, Austri, Republikë Çeke, si dhe në vendlindje në Kroaci, duke drejtuar disa skuadra. Pikërisht ekipi i fundit që ka drejtuar, ka qenë Dubrava nga Kroacia, ku punoi për tri edicione dhe tregoi rezultate shumë të mira.