KB Vëllaznimi ndahet me trajnerin Branimir Paviq
Kroati Branimir Paviq më nuk është trajner i KB Vëllaznimit nga Gjakova. Ekipi i Superligës së Kosovës në basketboll, të mërkurën ka njoftuar se ka ndarë rrugët me Paviqin, të cilin e pati emëruar trajner para fillimit të këtij sezoni.
“Me marrëveshje të dyanshme kemi ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Branimir Paviq, të cilin e falenderojmë për kontributin në skuadër dhe i dëshirojmë suksese në vazhdimin e karrierës. Drejtuesit e klubit janë duke punuar për të gjetur trajnerin e ri të ekipit sa më shpejtë të jetë e mundur dhe për të vazhduar punën e rikthyer ekipin në rrugën e fitoreve”, thuhet në njoftimin e skuadrës gjakovare.
Pas gjashtë xhirove të zhvilluara deri më tani, Vëllaznimi zë vendin e gjashtë në tabelë me dy fitore dhe katër humbje. Ndeshjen e radhës, Vëllaznimi e luan në udhëtim kundër skuadrës së Sigal Prishtinës në kuadër të xhiros së shtatë.