KB Ylli: Në Rahovec na shanë dhe na sulmuan
Golden Eagle Ylli nëpërmjet një njoftimi për medie e ka akuzuar skuadrën e Rahovecit për mirëpritjen e bërë në ndeshjen që u zhvillua të enjten.
Skuadra nga Suhareka shënoi fitore, por sipas reagimit të tyre një ditë pas ndeshjes, tifozët vendas në vazhdimësi kanë fyer lojtarët e Yllit, kurse pas përfundimit të ndeshjes sulmet nuk munguan ndaj zyrtarëve të klubit, tifozëve dhe veturave të tyre.
Reagimi i plotë i KB Ylli pa ndërhyrje:
Komunikatë nga Golden Eagle YLLI
Ndeshja e zhvilluar mbrëmë në Rahovec përpos fitores së merituar, na la edhe shije të keqe nga tifozët vendas.
Lojtarët tanë ishin gjatë gjithë kohës nën sharje dhe fyerje nga tifozët, por edhe nga ata që ishin ulur në prag të fushës. Aq më e turpshme ishte fyerja morale që bëhej ndaj neve në bannerin e tifozëve vendas.
Me përfundimi e pjesës së parë u hodhën edhe mjete piroteknike. Por, nuk përfundoi me kaq, edhe dy herë tjera u hodhën mjete piroteknike.
Me të përfunduar ndeshja me fitoren e klubit tonë, sikur në kor u hodhën shkrepsa, shishe plastike dhe gjësende tjera në drejtim të lojtarëve tanë brenda fushës dhe në dalje të saj.
Ata suharekas që erdhën të shikojnë ndeshjen, automjetet e tyre i gjetën me dëmtime. Mirëpo, jo vetëm kaq. Disa prej tyre u sulmuan tinëzisht. Sulmi u bë edhe mbi zyrtarët e klubit tonë.
Veturat me regjistrim 04 kishin fatin e njejtë, duke mos përjashtuar as minibusin e lojtarëve.
Kjo sjellje e keqe na dëshpëron thellësisht, kur mendojmë se ishte Rahoveci që në Suharekë përpos që luajtën në palestër, ishin të mirëpritur dhe pa asnjë dëmtim.
Pas gjithë kësaj, neve festën e fitores nuk mundën të na zbehin, pasi kemi festuar herët. Edhe atëherë kur Rahoveci basketboll vetëm në televizor ka shikuar.
/Epoka e re/