KD i rekomandon MKRS-së shpalljen e konkursit për drejtor të Bibliotekës Kombëtare
Rreth dy javë më parë Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare, në përbërje Bardh Rugova (kryetar), Ervina Halili, Gëzim Selaci, Feim Hoxha, Blerta Ismajli (anëtarë), i ka propozuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-së) shpalljen e konkursit për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” sipas Ligjit për Biblioteka.
Por, pavarësisht prej rekomandimit nga Këshilli Drejtues, ende në uebfaqen e MKRS-së nuk ka shpallje për konkurs për drejtor të Bibliotekës Kombëtare. E sipas Ligjit për Biblioteka, konkursi për drejtor do të duhej të shpallej tre muaj para përfundimit të mandatit të drejtorit aktual, të cilit i përfundon mandati në muajin tjetër.
Fazli Gajraku është drejtor i Bibliotekës Kombëtare që tetë vjet (dy mandate). Disa muaj para se të emërohej drejtor në mandatin e parë, ai ka qenë u. d. i drejtorit të kësaj biblioteke. Në një prononcim të shkurtër dhënë së fundi për një televizion të Kosovës, ai ka përmendur disa prej vështirësive që ka hasur si drejtues i këtij institucioni ndër vite, edhe punët që ka filluar të bëjë gjatë këtij viti në fushën e digjitalizimit. Ai ka përmendur rënien e madhe të lexuesve. Sallat e leximit në Bibliotekën Kombëtare sot janë pothuajse tërësisht bosh.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, Ramush Zeka, thotë se përgjegjës për gjendjen e sotme në bibliotekë është drejtori i saj Fazli Gajraku. “Ka nisur disa punë prej që është drejtor dhe nuk e ka përfunduar asnjë. Unë nuk i kam parë që i ka përfunduar, se që shtatë vjet nuk më ka ftuar në asnjë mbledhje. Kolegët e mi, shefat dhe u. d. shefat e departamenteve të bibliotekës, më kanë thënë se asnjëri projekt i nisur nuk është realizuar ende”, ka thënë Zeka, i cili, i pyetur për cilat projekte bëhet fjalë, ka shtuar: “Projekti i bibliografisë së librit shqip, për të cilën dy herë ka marrë financim nga MKRS-ja, s’ka përfunduar që shtatë vjet. Projekti për masakrën e Krushës së Madhe, filluar në vitin 2019, pas një memorandum mirëkuptimi me MKRS-në, konkretisht ish-ministren Vlora Dumoshi, nuk ka përfunduar ende. Janë dhënë më shumë se 135 000.00 euro për atë projekt dhe ende asgjë nuk dimë për të. Projekti për digjitalizimin e fondeve të Bibliotekës Kombëtare është thënë që ka filluar që sa vite, por ende asnjë material të digjitalizuar nuk e ka ofruar për lexuesit e bibliotekës në uebfaqe. Thjesht, përpos blerjes së skanerëve me shuma marramendëse, nuk di a e ka futur në përdorim ndonjërin prej tyre, se ka disa vjet që drejtori nuk po mban mbledhje me shefa, absolutisht me mua ani pse jam shef i IT-së në bibliotekë e që do të duhej të merrte këshilla prej meje nga fusha e teknologjisë së informacionit”.
Gazeta “Epoka e re” ka marrë vesh nga burimet se sot në orën 16.00 Këshilli Drejtues ka nisur një mbledhje, në të cilën do të diskutojë edhe për procedurën e shpalljes së konkursit për drejtor pas rekomandimit që i ka dhënë MKRS-së ditë më parë.