KDI: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë baza për hartimin e statutit të Asociacionit
Instituti Demokratik i Kosovës ka theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë baza për hartimin e statutit të Asociacionit.
Sipas KDI-së, që nga arritja e marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në takimin e mbajtur në Ohër më 18 mars të këtij viti, procesi i dialogut është futur në një periudhë dinamike të zhvillimeve dhe angazhimit të palëve.
“Instituti Demokratik i Kosovës i vlerëson si tejet të rëndësishëm gatishmërinë e palëve për të lëvizur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve pas dakordimit për Deklaratën për të pagjeturit dhe zbatimin e marrëveshjes lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Duke qenë se, një prej çështjeve më akute që derivojnë nga dialogu është statuti i Asociacionit, KDI e konsideron të papranueshëm çdo model të prezantuar në dialog që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe që është në shpërputhje me udhëzimet e Aktgjykimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
KDI-ja ka rikujtuar që Kosova në vazhdimësi ka marrë garanci nga faktorët ndërkombëtarë, në veçanti nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Asociacioni do të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
“Pas propozimeve mbi draft-statutin dhe diskutimeve mbi rregullimet alternative të Asociacionit, i rikujtojmë Qeverisë së Kosovës që të gjitha veprimet për themelimin e Asociacionit duhet të kenë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe zbatimin e parimit të kushtetutshmërisë”, është thënë në komunikatën e KDI-së.