KDI: Deputetët të penalizohen për mospjesëmarrje në seanca dhe votim
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paraqitur sot një vlerësim rreth punës së deritashme të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për medie, Artan Murati nga ky institut ka theksuar se mungesa e deputetëve në seanca plenare dhe në mbledhje të komisioneve parlamentare është një nga problemet më të mëdha të evidentuara në punën e legjislaturës së gjashtë.
Ai ka treguar se në shumë raste ka dështuar votimi për projektligje apo çështje tjera të parapara në rendin e ditës në punimet e kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit.
Sipas Muratit, kjo çështje mund të rregullohet përmes Rregullores së re të Punës së Kuvendit, ku mund të parashihet që deputeti i cili nuk merr pjesë në votim, por që është prezent në seancë, vota t’i llogaritet me automatizëm si abstenim.
Gjithashtu, ai iu ka bërë thirrje deputeteve që sot të votojnë pro ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.