KDI: Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni, komunat më transparente në 2024

30 prill 2025 | 12:53

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Transparency International Kosova, sot ka publikuar raportin vjetor “Transparometri Komunal 2024”, i cili vlerëson nivelin e transparencës në 38 komunat e Kosovës për periudhën janar – dhjetor 2024.

Në hapje të konferencës, menaxherja e projekteve në KDI, Selvije Kurti, theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në nivelin lokal të qeverisjes.

Ajo deklaroi se transparenca nuk është çështje vullneti, por detyrim ligjor dhe instrument kyç për ndërtimin e besimit midis qytetarëve dhe institucioneve.

Gjatë vitit 2024, një zhvillim i rëndësishëm ishte paralajmërimi për lansimin e platformave të reja digjitale komunale, me synimin për të përfunduar këtë proces deri në fund të dhjetorit.

Megjithatë, procesi është shoqëruar me mangësi të theksuara, si mungesa e njoftimeve zyrtare, afateve të qarta dhe udhëzimeve për qytetarët lidhur me përdorimin e uebfaqeve të reja.

Besnik Ramadanaj nga KDI-ja prezantoi metodologjinë e raportit dhe rezultatet kryesore.

Sipas tij, vlerësimi mesatar për 38 komunat ishte 68.34 pikë, një ngritje prej rreth 5 për qind krahasuar me vitin 2023.

Komunat me performancën më të mirë në transparencë për vitin 2024 janë: Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni, pasuar nga Drenasi, Klina, Obiliqi dhe Rahoveci.

Raporti gjithashtu analizoi performancën në nivel të kuvendeve komunale dhe zyrave të kryetarëve.

Zyrat e kryetarëve shënuan rritje të lehtë me 71.56 për qind, ndërsa kuvendet komunale me 71.03 për qind, duke treguar përmirësim krahasuar me vitin 2023.

Megjithatë përmirësimet, raporti identifikoi disa sfida të vazhdueshme, përfshirë mungesën e njoftimeve publike për qytetarët lidhur me lansimin e uebfaqeve të reja, mungesën e informatave publike për adresat e komunave, mungesën e strukturës unike dhe të standardizuar të uebfaqeve, dhe mungesën e qasjes së plotë në dokumente në gjuhët zyrtare.

Duke qenë se viti 2025 është një vit zgjedhor komunal, KDI-ja inkurajon komunat që të forcojnë transparencën dhe të mos e neglizhojnë atë gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu, kandidatët për kryetarë komunash inkurajohen të hartojnë dhe publikojnë programe që i japin rëndësi transparencës dhe llogaridhënies. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një turneu shumë të mirë të Kupës së Kosovës…