KDI-ja dhe komuna e Gjakovës nënshkruajnë paktin e parë të integritetit në Kosovë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) degë e Transparency International në Kosovë dhe Komuna e Gjakovës, në kuadër të aktivitetit të USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, kanë nënshkruar sot Paktin e parë të Integritetit në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe përgjegjshmërisë sa i përket prokurimit publik në qeverisjen lokale.
Ky pakt, i cili synon të forcojë praktikat e mira qeverisëse dhe të luftojë korrupsionin në prokurimin publik, është një marrëveshje e rëndësishme që vendos standarde të reja për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Nënshkrimi i këtij pakti tregon përkushtimin e të dyja palëve për të promovuar një administratë të hapur dhe të ndershme, që shërben në të mirë qytetarëve të Gjakovës.
Në ceremoninë e nënshkrimit, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, theksoi rëndësinë e këtij pakti për të garantuar një qeverisje të drejtë dhe transparente. “Ky pakt, i mbështetur nga aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës, do të na ndihmojë të përmirësojmë performancën tonë administrative dhe të rrisim besimin e qytetarëve në institucionet tona”, tha Gjini.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, u shpreh se ky është një hap thelbësor drejt krijimit të një kulture të re të integritetit në sektorin publik. “Ne besojmë se ky pakt do të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë dhe do të nxisë praktika të mira qeverisëse në mbarë vendin”, tha Kryeziu.
Pakti i Integritetit përfshin një sërë masash konkrete, përfshirë transparencën në proceset e prokurimit publik, pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në vendimmarrje, si dhe zbatimin e mekanizmave të fortë të kontrollit dhe balancës.
KDI-ja do të luajë një rol kyç në monitorimin e zbatimit të këtij pakti, duke siguruar që të gjitha masat të përmbushen sipas planit.
KDI-ja dhe komuna e Gjakovës ftojnë qytetarët dhe mediat që të ndjekin nga afër zbatimin e këtij pakti dhe të kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes lokale. Kjo marrëveshje është vetëm fillimi i një përkushtimi të ri për një administratë publike më të hapur dhe më të përgjegjshme.