KDI-ja: E papranueshme që Konjufca nuk udhëhoqi seancat e fundit, pushteti mos ta paralizojë punën e Kuvendit

17 tetor 2024 | 15:56

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga pushteti që mos ta paralizojë punën e Kuvendit të Kosovës, pas mospjesëmarrjes në disa seanca.

KDI-ja ka thënë se fillimi i sesionit vjeshtor po sfidohet nga veprimet që minojnë funksionimin e jetës parlamentare.

“Kur kanë mbetur rreth dy muaj deri në përmbylljen e punës së kësaj legjislature, Kuvendi ka në agjendë plot 23 pika, që po barten nga seanca në seancë – disa prej tyre edhe që nga viti i kaluar. Përpos këtyre pikave, në këtë periudhë do të duhej të shqyrtoheshin edhe rreth 50 projektligje e vendime me interes jetik, që janë pjesë e agjendës legjislative”.

“Megjithatë, kjo agjendë e ngjeshur nuk po reflektohet në planifikimet e Kuvendit për mbajtje të seancave dhe shqyrtim përmbajtjes legjislative, meqë që nga fillimi i sesionit vjeshtor në javën e dytë të shtatorit, të tri seancat e thirrura janë mbyllur menjëherë në mungesë kuorumi – pa arritur që të miratohet ndonjë projektligj. Në javën e fundit, posaçërisht sfidues për punën e Kuvendit ka qenë bojkotimi i seancave plenare nga shumica parlamentare, në rastet kur opozita ka propozuar diskutime ose ka thirrur seanca të jashtëzakonshme për tema të rëndësishme”, është reagimin e KDI-së.

Sipas këtij reagimi, KDI-ja e ka cilësuar si të papranueshëm veprimin e kryetarit Glauk Konjufca i cili nuk ka udhëhequr seancat e fundit të thirrura nga opozita.

“Është e paprecedentë që bojkoti si instrument politik parlamentar, shfrytëzohet nga partitë në pushtet, të cilat, në fakt, do të duhej të ishin përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve plenare të Kuvendit. I papranueshëm është edhe veprimi i kryetarit Glauk Konjufca për të shmangur udhëheqjen e seancave të fundit të thirrura nga opozita – përkundër që ky përbën një obligim të tij kushtetues. Kuvendi duhet të jetë hapësira kryesore për të zhvilluar debat të hapur dhe konstruktiv për çështje janë në interes të publikut; dhe jo të konsiderohet vetëm si makineri votimi. Debatet i formësojnë opinionet publike, i japin drejtim politikave, si dhe prodhojnë alternativa për vendimet që merren në Kuvend”, është thënë në këtë reagim.

Reagimi i plotë:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krahas vendimeve se kur të ketë reduktime e kur jo…