KDI-ja: Festo 1 Majin duke raportuar korrupsionin në vendin e punës
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se diskriminimi në konkurse, mospagesa e pagës dhe kontributeve pensionale, largimet nga puna pa arsye, degradimet në vendin e punës, mungesa e efikasitetit në gjykimin e çështjeve që lidhen me punëtorë, konkursi publik si mundësi për punësim partiak etj., janë problemet që shqetësojnë të gjithë qytetarët e aftë për punë.
“Përkundër faktit se Ligji i Punës apo Ligji për Shërbyesit Civil ka paraparë kritere se si dhe kur mund të bëhet largimi nga puna, ulja në pozitë, suspendimi, apo edhe pranimi në punë, shpesh punëdhënësit, të sektorit privat apo atij publik, nuk i respektojnë ligjet përkatëse. Vonesa e gjykatave në zgjidhjen dhe trajtimin e çështjeve të natyrave të ndryshme ka bërë që të vonohen edhe çështjet e punëtorëve që kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre”, është thënë në komunikatën e KDI-së.
Instituti Demokratik i Kosovës si pjesë e Transparency International ka bërë me dije gjatë gjithë kohës ka pranuar ankesa nga shumë qytetarë rreth shkeljeve të të drejtave të punës nga administrata shtetërore apo edhe ndërmarrjet private.
“Deri më sot janë pranuar dhe trajtuar më shumë se 50 raste nga të drejtat e punës. Përveç kësaj, KDI-ja në fillim të këtij viti ka kryer një hulumtim me shërbyesit civil të punësuar në institucionet e sistemi gjyqësor, prokurorial dhe atyre të sundimit të ligjit (gjykatat, prokuroritë, policia, shërbimi korrektues etj.) i cili dëshmon se më shumë se gjysma e pjesëmarrësve mendojnë se sektori i sundimit të ligjit vazhdon të mbetet jofunksional kurse procedurat e punësimit dhe gradimit tejet të politizuara. Edhe më shqetësuese është fakti se shërbyesit civil kanë shumë pak njohuri rreth mekanizmave në të cilat ata duhet t’i raportojnë rastet e tilla, dëshmon hulumtimi”, është thënë në këtë komunikatë.
KDI-ja kërkon nga institucionet publike që të respektojnë të drejtat në konkursin publik edhe të drejtat që dalin nga kontratat e punës.
Po ashtu i bënë thirrje prokurorisë që të hetojë sa më shumë raste të punësimeve pa merita dhe në kundërshtim me parimet e barabarësisë së palëve.
“Ftohen të gjithë qytetarët që të gjitha shkeljet që i kanë në punë, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat, t’i paraqesin në institucionet përkatëse shtetërore duke shfrytëzuar ndihmën ligjore që KDI ofron përmes numrit pa pagesë 0800 77777”, është theksuar në komunikatën e KDI-së.
/Epoka e re/