KDI-ja: Kërkohen veprime urgjente për ta parandaluar degradimin e mjedisit nga investimet kapitale

10 mars 2020 | 19:04

Kontratat publike për investimet kapitale me interes publik si ato për ndërtimin e rrugëve, rrjeteve të kanalizimeve dhe hidrocentraleve shpesh po bëhen burimi kryesor i degradimit të ambientit: lumenjve, tokës dhe pyjeve.

Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (Kadastrës të ndotësve të ujërave të zeza), 72 për qind e ndotjes së lumenjve vjen nga rrjetet e kanalizimeve, ndërsa sipas raporteve të Bankës Botërore, në Kosovë rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit dhe mjedisit.

Për ta ngritur vëmendjen e publikut për dëmet dhe efektin negativ të këtyre projekteve në mjedis e sidomos për të kërkuar veprim të menjëhershëm institucional, të martën KDI-ja ka publikuar tri raporte hulumtuese që shpërfaqin degradimin e ambientit nga investimet kapitale në Kosovë e që janë me interes publik.

Këto studime në veçanti trajtojnë tri tema të rëndësishme si ajo e ndërtimit të hidrocentralit në Biti të Poshtme, ndotjen e lumenjve nga derdhja e ujërave të zeza dhe dëmtimin e pyjeve nga gurthyesit.

Gjatë elaborimit të gjetjeve kryesore, Diana Metushi Krasniqi nga KDI-ja ka theksuar se degradimi i mjedisit përmes këtyre projekteve po shkakton probleme në mirëqenien, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Sipas KDI-së, këto po ndodhin si rezultat i mungesës së udhëzuesve administrative që plotësojnë kërkesat ligjore, kolizionit ndërmjet strategjive shtetërore dhe mungesës së llogaridhënies. “Vetëm gjatë tri vjetëve të fundit institucionet publike kishin dhënë kontrata në vlerë mbi 1 miliard euro për ndërtim të rrugëve dhe rrjeteve të kanalizimit, me masa minimale të mbrojtjes së mjedisit. Ajo tutje shtoi se “për të tejkaluar këtë situatë është tejet e rëndësishme që të ndërtohet bashkëpunimi i mirëfilltë ndërmjet dikastereve qeveritare, të përditësohen ligjet dhe strategjitë nacionale dhe të rritet niveli i llogaridhënies publike”, ka thënë ajo.

Avni Zogiani, zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit, ka potencuar problemet e bashkëpunimit edhe ndërmjet vetë departamenteve brenda ministrisë, ndërsa ka përmendur që qeveria e re është e përkushtuar që ta harmonizojë legjislacionin dhe ta promovojë ekspertizën e mirëfilltë në mbrojtje të mjedisit. Në ndërkohë, Fatmir Gërguri, kryeinspektor në Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve, ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet ilegale të gurthyesve dhe dënimet e vogla përkundër raportimeve të këtij institucioni.

Ai theksoi problemin e mosangazhimit të autoriteteve kontraktuese për t’i luftuar këto aktivitete sidomos në kontratat publike. Pasojat e mihjeve ilegale, përveç që po dëmtojnë në inkasimin e taksave, ato po rezultojnë në cilësi të dobët të punëve, pasi që rrugët e ndërtuara po prishen menjëherë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë…