KDI-ja kërkon nga Kuvendi përmbushjen e agjendës legjislative
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se Kuvendi duhet ta përmbush agjendën legjislative.
Ai ka theksuar se një gjë e tillë mund të realizohet përmes takimeve të rregullta të Kryesisë së Kuvendit dhe thirrjes së seancave në intervale më të shpeshta kohore.
Sipas Kryeziut, grumbullimi i shumë pikave të rendit të ditës po ndikon direkt në mospërmbushjen e agjendës legjislative nga ana e Kuvendit.
Ai ka thënë duhet të rikthehen praktikat e mëhershme parlamentare për mbajtjen e seancave në ditën e enjte eventualisht në të premten.
“KDI-ja ka vlerësuar se Kryesia e Kuvendit duhet të mbajë takime të rregullta dhe të thërras seanca në intervale më të shpeshta kohore, duke mos lejuar grumbullimin e shumë pikave të rendit të ditës pasi që kjo është duke ndikuar direkt në mospërmbushjen e agjendës legjislative nga ana e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit së bashku me Kryesinë dhe shefat e grupeve parlamentare, në funksion të riaktivizimit të jetës parlamentare, duhet të rikthejnë praktikat e më hershme parlamentare për mbajtjen e seancave në ditën e enjte eventualisht në të premten (ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës)”, ka shkruar Kryeziu në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/