KDI-ja kërkon të ndërmerren masa disiplinore ndaj deputetëve me sjellje joparlamentare
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar se është duke i përcjellë më shumë shqetësim degradimin e mospajtimeve mes deputetëve të subjekteve politike parlamentare deri në përplasje verbale ndërmjet tyre.
Me këtë rast, KDI-ja ka dënuar sjelljet joparlamentare në seancën e sotme, gjegjësisht konfrontimet verbale në mes të deputetëve të LDK-së dhe LV-së gjatë interpelancës e cila shtjellonte një temë aq të ndjeshme për qytetarin e Kosovës siç është çështja e të pagjeturve.
“Përveç se janë të papranueshme, këto sjellje cenojnë vlerat themelore të demokracisë të cilat do të duhej t’i promovonte Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues në vend. Ne ia rikujtojmë Kuvendit se ai duhet të shërbej si arenë e diskutimeve përmbajtjesore drejt gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve, e jo hapësirë që promovon sjellje e gjuhë joparlamentare që nuk gjenerojnë asgjë tjetër përveç se polarizim të mëtejmë shoqëror dhe thellim të krizës politike. KDI kërkon që në përputhje me Rregulloren të merren masa disiplinore ndaj deputetëve që penguan seancën e sotme kurse nga Kryesuesja e seancës të garantojë mbarëvajtjen e vazhdimit të seancës sipas Rregullores së Kuvendit”, është thënë në reagimin e KDI-së.