KDI-ja kërkon transparencë për marrëveshjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të jenë transparente në raport me marrëveshjen për linjën e fluturimeve Prishtinë-Beograd.
“Sot është bërë e ditur arritja e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, në ambasadën e SHBA-së në Berlin, për vendosjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd nëpërmjet kompanisë ajrore gjermane ‘Lufthansa’. Deri tani, autoritetet kosovare kanë dhënë informacione të kufizuara lidhur me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e saj dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshjeje mund të sjellë, p.sh. me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që derivojnë nga kjo marrëveshje”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Po ashtu, ky institut ka kërkuar nga institucionet e Kosovës qa ta njoftojnë publikun në lidhje me përmbajtjen e kësaj marrëveshje.
“KDI-ja kërkon nga autoritetet e Republikës së Kosovës që të njoftojnë publikun mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe implikimeve të saj. Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm dhe përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut dhe normalizimin të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, KDI-ja u bën thirrje autoriteteve të Republikës së Kosovës që të përkushtohen për transparencë dhe llogaridhënie, si parakusht për rritjen e besimit të publikut në procesin e normalizimit”, është thënë në këtë reagim.
/Epoka e re/