KDI-ja kundër vazhdimit të praktikave të kapjes së shtetit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si pjesë e rrjetit global Transparency International, ka bërë me dije se është duke ndjekur më shumë shqetësim veprimet e qeverisë në detyrë, e cila në kohë të pandemisë COVID-19 po vazhdon me shkarkimin e bordeve ekzistuese të ndërmarrjeve për t’i zëvendësuar ato me njerëz të subjektit të tyre.
Sipas KDI-së, vendosja e figurave që më parë ishin kandidatë për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet, njofton Klan Kosova.
“Qeveria në detyrë urgjentisht duhet ta ndalojë një praktikë të tillë, ndërsa procesit të rekrutimit duhet t’i parapri shpallja e konkurseve publike në mënyra që në këto borde të rekrutohen njerëz me kredibilitet, integritet e profesionalizëm. Qeveria në detyrë duhet që të vazhdojë memorandumet e bashkëpunimit me Ambasadën Britanike në Kosovë, për rekrutimin e bordeve dhe pozitave tjera udhëheqëse në Kosovë, ashtu që të kemi përmes një procesi transparent e llogaridhënës me ndihmën e Ambasadës dhe nën mbikëqyrjen e shoqërisë civile të mundësohet zgjedhja e bordeve të ndërmarrjeve publike të jenë profesionale e jo politike, me integritet e jo të kapura”, është thënë në reagimin e KDI-së.